Menduan se vdiq pasi e përdhunuan, e hodhën nga shkëmbi

AKTUALITET


Policia greke ka nxjerrë në dritë detajet e hetimit mbi përdhunimin dhe vrasjen e një studenteje në Rodos nëntë muaj më parë, krim për të cilin janë arrestuar një shqiptar dhe një grek.

Për këtë krim të rëndë, ku mbeti e vrarë studentja Helen Topaloudi, akuzohen Aleksandër Luca dhe greku Manoli Koukouras. Të akuzuarit për vrasjen e saj, Luca dhe  Koukouras, kanë përshkruar para grupit hetimor atë që ndodhi natën fatale, megjithëse fillimisht ia kanë hedhur fajin njëri-tjetrit për vrasjen e studentes.

Në dëshmitë e tyre thuhet se dy autorët e dyshuar së pari u takuan më vete. Sipas raportit, ata dyshohet se kishin paramenduar përdhunimin të studentes fatkeqe. Më pas, 20-vjeçari shqiptar i dërgoi një mesazh në ‘Facebook’ Eleni Topaloudi që të takoheshin. Në orën 21:00 të 27 nëntorit 2018 dy të rinjtë u takuan me studenten e re.

Kur vajza shkoi në banesë me dy autorët e dyshuar, ndjeu frikë dhe siklet. Aty mësohet se greku dhe shqiptari akuzohen se e kanë përdhunuar duke përdorur dhunë fizike ndaj saj. Ata e kërcënuan atë me thikë dhe e mbytën në përpjekje për ta detyruar atë në veprime erotike. Kur vajza humbi ndjenjat, dy protagonistët kanë menduar se ajo vdiq. Për të fshehur krimin, e hodhën studenten nga një shkëmb buzë detit.

Autopsia tregoi se e reja ishte gjallë kur e hodhën nga shkëmbi dhe vdiq nga plagët e shkaktuara nga përplasjet dhe lartësia. Pas krimit greku ka fshirë llogarinë e tij në Facebook. Menjëherë pas krimit, dy të pandehurit ia hodhën fajin njëri-tjetrit që nga fillimi, por duke përdorur metodat hetimore, policia zbuloi se të dy kishin bashkëpunuar në krim, që mendohet se ka qenë i paramenduar, megjithëse kjo akuzë nuk është pranuar nga të arrestuarit, të cilët kanë deklaruar se gjithçka ndodhi, pasi situata doli jashtë kontrollit.



Skip to toolbar