Seanca e Komisionit Hetimor ku presidenti Meta po raporton para deputetëve për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit është karakterizuar edhe me batuta nga deputetët. Në këtë pikë ka spikatur deputeti i opozitës parlamentare Halir Valteri. Ndërsa ka përmendur faktin se Meta nuk ia doli dot të organizonte një tryezë dialogu mes Ramës e Metës u shpreh se “ai kot që është president, pasi nuk e merr njeri seriozisht”.
“Dëgjova që thoni se nuk munda të ul palët. Ju jeni presidenti i Republikës dhe në rast se nuk arrini të ulni palët politike kur keni 30 vite që bëni çorap këtë vend, atëherë mendoj që ata nuk ju marrin seriozisht dhe ju kot sa e ushtroni këtë detyrë që keni.”
Këtij provokimi, Meta iu përgjigj me ironi për Valterin: “Parlamentarizimi është edhe eksperiencë edhe përvojë.”
Ai kërkoi nga deputetët me eksperiencë që të ndihmojnë me shpjegime deputetin e hyrë në Kuvend pas djegies së mandateve nga opozita.
Meta nxorri edhe një foto të vitit 1990 nga takimi i studentëve me liderin komunist, Ramiz Alia, ku vetë ai ka qenë i pranishëm.
Meta tha se edhe Ramiz Alia i ka shtyrë zgjedhjet kur ka qenë e nevojshme dhe se nuk mund t’i kërkohej një studenti të dhjetorit që të kthehej 30 vite pas me zgjedhjet me një kandidat në 30 qershor.