Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar të mërkurën një takim kokë më kokë me presidentin Ilir Meta në Presidencë. Takimi është zhvilluar larg syrit të medias dhe ka zgjatur përreth 60 minuta. Kriza politike në vend mendohet se ka qenë tema e diskutimit mes palëve.
Pas takimit me Bashën, presidenca ka njoftuar se Meta do të zhvillojë një konferencë për shtyp të mërkurën në orën 17.00 ku do të flasë në lidhje me takimet e zhvilluara nga ekspertët e Komisionit të Venecias të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë për shkarkimin e tij.
“Presidenti Meta do të jetë i hapur për çdo pyetje dhe i gatshëm për të dhënë çdo përgjigje, në mënyrën më transparente”, njofton presidenca.
Lidhur me takimin “sekret” me Bashën, kujtojmë se gjatë muajve të verës në disa raste Meta i ka dërguar mesazhe të koduara kreut të PD-së, për t’ia bërë të qartë atij se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje Rama-Basha.
Vetëm pak ditë më herët Presidenti postoi në facebook një video të tijën në kohën kur ishte kryetar i LSI-së dhe ku deklaronte se nuk do të bënte asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit, ditë kur u miratuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të dakordësuara midis Berishës dhe Ramës. Përmes kësaj video Meta i dërgoi një mesazh Bashës se nuk do të pranonte asnjë marrëveshje mes tij dhe Ramës. Ky reagim i Metës erdhi pas sinjaleve se Basha dhe Rama mund të bien dakord për të realizuar së bashku reformën zgjedhore. Nisur edhe nga kërkesa më e fundit e bërë nga OSBE/ODIHR në raportin për zgjedhjet e 30 qershorit, ku rekomandonte palët politike në Shqipëri që të nisin dialogun dhe bashkëpunimin për këtë reformë. Rama u shpreh se dora e tij është e shtrirë për bashkëpunim me opozitën, si atë brenda në parlament dhe atë jashtë parlamentit.
Deklaratë kjo, që siç duket, ka trembur presidentin, i cili vijon të bëjë thirrje që palët të njohin dekretin e tij për zgjedhje më 13 tetor. Pikërisht ky dekret dhe kjo datë nuk ka gjetur mbështetje nga kreu i PD-së, Basha. Nga njëra anë Kryemadhi deklaroi të martën se është gati të futet në zgjedhje të parakohshme me ose pa Ramën kryeministër. Nga ana tjetër Basha vijon të qëndrojë stoik dhe të përsërisë qëndrimin e tij se nuk ka zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa qeveri teknike. Ky qëndrim i Bashës është cilësuar kokëfortësi nga Meta, gjatë fjalës që mbajti në Komisionin Hetimor parlamentar. Mendohet se kjo ka qenë temë e bisedës të takimit të së mërkurës. Gjithsesi pritet që vetë presidenti të japë detaje në konferencën për shtyp të pasdites./realstory.al