Meta sfidon: Nëse Venecia rekomandon shkarkimin, jap dorëheqjen

POLITIKË


Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nëse ekspertët e Komisionit të Venecias rekomandojnë shkarkimin e tij, pa pritur fare vendimin e Kuvendit të Shqipërisë. Deklaratën e fortë, kreu i shtetit e ka bërë përballë gazetarit Çim Peka në Syri Tv, duke thënë sesi mund të rri unë në detyrë, nëse Venecia thotë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën.

Gazetari Çim Peka e ka pyetur kreun e shtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse do jepte dorëheqjen nëse Komisioni i Venecias rekomandonte shkarkimin e tij, pavarësisht se është rekomandim dhe nuk do të thotë se është i detyrueshëm. “Patjetër, nëse rekomandimi i Venecias është për shkarkimin tim, patjetër do jap dorëheqjen. Unë kam dhënë dorëheqje edhe si kryeministër. Të thotë Venecia që e kam shkelur Kushtetutën dhe unë të rri President, kjo nuk ndodh. Sa herë qeveria e ka shkelur kushtetutën, sa herë qeveria ka rrëzuar ligje. Ku e kam shkelur unë kushtetutën, këtë më thuaj? Ka zhdekretuar thotë Vasilika dhe Ulsiu. Kanë marrë porosi për të thënë zhdekretuar, sepse nuk ka zhdekretim. Unë kam dekretuar për të rrëzuar dekretin tim. Ky nuk është dekret që kontrollohet nga parlamenti”, deklaroi Meta përballë gazetarit Çim Peka.

Me këtë deklaratë të fortë, kreu i shtetit, në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias, i cili pritet të dalë më 11 tetor, i ka bërë tërthorazi një sfidë mazhorancës, nëse do të respektojë opinionin e Venecias, nëse ai do të dalë në mbrojtje të kreut të shtetit, megjithëse mazhoranca ndërmori vetë nismën për të marrë opinionin e Komisionit të Venecias, me qëllim për të shmangur paragjykimin nga vendimi që mund të marrë, ku është e bindur se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.



Skip to toolbar