Presidenti rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat gjermane për përfshirjen e Rusisë në një sulm të planifikuar me dron në aeroportin e Leipzigut, duke e quajtur atë një “provokim të inskenuar”.
Presidenti rus akuzoi Berlinin se po përpiqet të mashtrojë opinionin publik gjerman, duke i lidhur akuzat me rënien e popullaritetit të Kancelarit Friedrich Merz.
Deklaratat e tij u bënë gjatë një konference për shtyp në Bishkek të Kirgistanit, ku ai mori pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.
Putini më pas u kthye kundër presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke komentuar paralajmërimin e këtij të fundit drejtuar linjave ajrore se dronët ukrainas po e bënin hapësirën ajrore ruse të rrezikshme dhe në thelb të mbyllur.
Siç tha ai, një qëndrim i tillë i ngjan “terrorizmit shtetëror”, duke shtuar se Moska do të gjejë “mënyrën e duhur” për të reaguar. Në të njëjtën kohë, ai i dërgoi një mesazh Kievit se “negociatat me terroristët nuk mund të zhvillohen”, duke e mbajtur hapur mundësinë e dialogut.
“Ne duam t’i japim fund luftës dhe të arrijmë paqe të qëndrueshme në të gjithë Ukrainën dhe Evropën“, tha ai, duke vënë në dukje se Rusia është e gatshme të marrë pjesë në një proces negociatash nëse ka një gatishmëri përkatëse nga pala tjetër. Megjithatë, Putin pranoi se sulmet me dronë ukrainasë i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme Rusisë, kryesisht anijeve dhe objekteve të naftës.
Ai pohoi se afërsisht 100 anije u prekën brenda një periudhe prej 40 ditësh, ndërsa deklaroi se pjesa më e madhe e dëmeve në rafineri është riparuar tashmë dhe se riparimet janë ende të nevojshme në afërsisht 10% të objekteve që u goditën.
