Gazetari dhe drejtuesi i “Real Story”, Sokol Balla, ka folur në një intervistë për portalin “Tirana Post”. Në pyetjet ‘provokuese’ të Mira Kazhanit, përgjigjet e gazetarit Balla janë po aq ‘provokuese’ dhe me mesazhe të drejtpërdrejta. Fillimisht, Balla ka shpjeguar mesazhet e spotit të emisionit “Real Story”, që nis sezonin e ri në 16 shtator në orën 21:00 në News 24. “Kjo është e vërteta. Prova më e fortë ka qenë ky vit. E vërteta u fut në ujë, por ajo fliste, e zhveshën, por nuk e turpëruan. E dhunuan por ajo foli e po flet sërish. Unë mendoj kam qenë me krahun e së vërtetës. Kështu që kam ndarë e ndaj dhimbjet me të. Qoftë me një foto vere në pishinë”, është shprehur drejtuesi i “Real Story”.
Një nga pyetjet e drejtueses së “Tirana Post”, ka qenë ajo rreth qeverisjes së Edi Ramës dhe kabinetit të tij. Ndonëse shprehet se ‘Rama nuk ka dalë i humbur nga kriza politike’, Sokol Balla ka vënë në dukje disa të meta për kabinetin e Edi Ramës. Sipas tij, dy prej ministreve të kabinetit, të cilat morën detyrën rreth një vit më parë, rrinë aty vetëm sepse janë gra.
“Makina ecën vetë. Kabineti i fundit është në kontroll të tij dhe vetë Rama duket ka nxjerrë disa mësime. Kjo krizë nuk e nxori atë humbës, por duhet ta ketë futur shumë në mendime. Ka ministra shumë të mirë, por nja dy rrinë aty vetëm se janë gra. Kumbaros për shembull kjo nuk i mjaftoi. Përse duhet t’i mjaftojë Margaritit? Nëse financat nuk shkojnë mirë, dhe ti ndërron vazhdimisht Dogana e Tatime dhe ato prapë shkojnë keq, kë mendon se duhet të ndërrosh kësaj radhe? Por e vërteta është se “lulëzimet” e qeverisë, ato që janë, janë më shumë prej Lulëzimit sesa prej Edit. Për herë të parë në histori jemi zyrtarisht pa opozitë. Dhe këtu s’ka faj Edi, as amerikanët, bile as gjermanët. Kjo është e vërteta lakuriqe. E plagosur, por që po del nga uji e po flet sërish. Si një sirenë e lënduar nga fyerjet. Dhe thuhet se sirenat magjepsnin me zërin e tyre. Ajo ishte arma e tyre”, shprehet Sokol Balla.
Një tjetër pyetje provokuese e gazetares Kazhani, ndaj kolegut të saj Sokol Balla, ka qenë fotoja me pronarin e televizionit News 24, Irfan Hysenbelliu. Balla shprehet se janë pikërisht këta njerëz ‘që mendojnë ndryshe nga ne (gazetarët), të cilët me çmendurinë e tyre, i kanë krijuar mundësi shumë djemve dhe vajzave të bëjnë atë që duan, të punojnë në media’.
“Mërzia” e Lulzim Bashës, që sulmoi gazetarin Sokol Balla dhe “Real Story”, pasi më herët të njëjtën gjë bëri Ilir Meta, ka qenë një tjetër pyetje provokuese e kësaj interviste. Për gazetarin Sokol Balla përgjigja është: “Ata gabojnë, ne vazhdojmë punën tonë”. “Lut Dervishi e kishte shkruar shumë bukur dhe s’dua t’i shtoj, t’i heq më tepër. Por është një odise 27-vjeçare për mua: Politikanët gabojnë, ne vazhdojmë punën. Ne që merremi dhe ruajmë të vërtetën kuptohet. Zagarët e fjalës së lirë pastaj janë gjë tjetër. Edhe ajo mund të quhet dobësi e të vërtetës? Përse i lë ata të gjallojnë? Përgjigjja: Sepse kështu ajo del dhe më e pastër në kontrast me pisllëkun e tyre”, është shprehur ai.
“Kujt do t`ia besonte çelësin e shtëpisë Sokol Balla”, një tjetër pyetje provokuese e gazetares Kazhani. Mes merave të shumë politikanëve shqiptarë, nga Rama, Basha, Meta, Veliaj, apo Berisha, gazetari Sokol Balla ka treguar se i beson vetëm amerikanëve. “Edi Rama do ta humbte, Endri Fugën nuk e kap më dot se është jashtë. Basha? Hmmm, jo ide e keqe, por me kusht që ta mbajë bashkë me çelësin e PD. Ilir Meta do ia jepte Çim Pekës dhe ai do ta kthente në portal dhe tani kam portal vetë. Erion Veliaj është një kandidaturë e mirë, por me 120 takime në ditë, hajde gjeje kur të duhet të kthehesh në shtëpi. Ditmiri është europian i shtëpive pa çelësa e dritare dhe ndruhem se për ketë s’i ka ardhur akoma koha shtëpisë sime. Midis Azemit dhe Doktorit s’do kisha zgjedhje, por meqë “Azemi është gjallë” vetëm në mitingje dhe Saliu gjithë kohës, kam preferuar t’ia jap amerikanëve për 6 vjet. Do ia jepja falas, por ata insistojnë që ta mbajnë me pagesë. Siç tha dhe Lu në intervistë para një viti: “Ne amerikanët bëjmë oferta që ju s’mund t’i refuzoni”. Dhe s’kanë filluar akoma. Duroni…”.
Në fund, intervista mbyllet me atë që nis, një pytje për të vërtetën që meriton Shqipëria. Sokol Balla shprehet se “Shqipëria duhet të jetë një vend normal”, ku të shkojnë në burg kriminelët, pavarësisht nga prejardhja me kollare apo jo, të ketë një opozitë dhe president normal. “Kuptimi është të fillojmë të kemi një vend më të mirë pas pak muajsh, prangash, burgjesh. Të heqim një president të keq dhe të vendosim një normal. Që të kemi një opozitë normale në Kuvend e bashki, e jo një tufë amorfe që mendon se SHQUP-i është qendra e botës. Një vend ku kriminelët të rrinë në burg, pavarësisht nga prejardhja e tyre, Laprakë, Kuvend apo Presidencë. Shqipëria një vend normal. Kam kaq vite që e them. Por besoj ka ardhur koha ta shohim realitet. Kuptim kanë gjërat reale, ato të vërtetat. Të tjerat? Do ngrohen në diell…”.