E largoi Llalla, KLP kthen prokurorin Abaz Muça

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur me 8 vota pro drejtuesin e ri të përkohshëm të Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Mat. Në krye të kësaj prokurorie është zgjedhur prokurori Abaz Muça.

Prokurori Muça ka mbajtur dhe më herët këtë detyrë, derisa ishte zëvendësuar nga Hysni Vata, i cili mbante këtë funksion deri më 9 shtator, kur u shkarkua nga vettingu. Madje, në momentin e emërimit të Vatës, pikërisht në vitin 2017, Muça nuk ka qenë në dijeni të lëvizjes së tij nga kryeprokurori i asaj kohe, Adriatik Llalla. Abaz Muça u hoq nga drejtues i prokurorisë së Matit një vit, pasi ai u kërcënua nga trafikantët e drogës, ndërsa bashkë me punonjësit e policisë po hynin në një parcelë të mbjellë me hashash. Tashmë, ai rikthehet sërish në krye të prokurorisë së Matit, megjithëse ende nuk ka kaluar në procesin e vettingut, i cili shkarkoi Hysni Vatën.

Hysni Vata është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me datën 9 Shtator.

Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur në KPK me 4 shtator, relatori i çështjes nënvijëzojë se Komisioni i kishte kaluar barrën e provës subjektit për një numër çështjes të identifikuara për të tre kriteret e vetingut. Sipas KPK-së analiza financiare subjekti ka rezultuar balancë negative dhe mungesë e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive. DSIK ka konstatuar gjithashtu papërshtatshmërinë e prokurorit Vata për vazhdimin e detyrës, ndërkohë që ONM i ka referuar Komisionit disa gjetje për hetimet e aksidenteve në punë në minierën e Bulqizës. Vata i kundërshtoi gjetjet e hetimit administrativ për sa i përket pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, duke kërkuar konfirmimin në detyrë – kërkesë që u hodh poshtë nga KPK me shpalljen e vendimit.

Pasi e vlerësoi karrierën e Vatës për të tre kriteret e vetingut, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, KPK vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Në vitin 1992, Hysni Vata ka nisur punë si prokuror, por është larguar nga detyra me dekret të Presidentit të Republikës për shkelje të rënda në vitin 1998. Pasi fitoi në Gjykatën e Lartë të drejtën e rikthimit në sistemin e prokurorisë, me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm u emërua në 2008-ën si prokuror në Tropojë, më pas në Dibër, Kurbin e në Mat, ku prej vitit 2017 mbante pozicionin e drejtuesit të kësaj prokurorie. Gjatë periudhës që ka qenë i larguar si prokuror, ai ka punuar në Policinë e Shtetit.

Hysni Vata ka qenë më herët në “listën e zezë” të publikuar nga Rama në bazë të denoncimeve të qytetarëve të Bulqizës. Por menjëherë pas publikimit të emrit të tij nga Rama në vitin 2017 për problemet, të cilat u konstatuan edhe nga ONM gjatë rivlerësimit, Llalla e emëroi në krye të prokurorisë së Matit, pa marrë parasysh këto shqetësime të ngritura nga vetë qytetarët.

Po ashtu në mbledhje është miratuar projekt-akti pёr ndërprerjen e caktimit tё përkohshëm tё Drejtueses sё Prokurorisë pranë Gjykatës së së Shkallës së Parë Dibёr, Esmeralda Keshi (Cami), e cila ka shprehur interes për të kandiduar për pozicionin vakant në KLP. Ndërsa në vend të saj u miratua caktimi i përkohshëm i prokurorit Rifat Kojku.

Ndërkohë, në seancën e së hënës munguan 2 anëtarë, Nurihan Seiti dhe Bujar Sheshi. Po ashtu, në mbledhje u miratua projekt-akti i vlerësimit në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorin Brahim Dragjoshi si dhe për prokuroren Pranvera Pustina.



Skip to toolbar