Kushtetuesja gati për 30 ditë (dhe nga shkarkimi i Metës)

#NËRADAR


Ngërçi për Gjykatën Kushtetuese po shkon drejt zgjidhjes. Emrat e gjashtë kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pritet t`i propozohen Kuvendit dhe Presidentit brenda kësaj jave. Sipas Report Tv, mësohet se në mbledhjen e kësaj jave, KED pritet të bëjë pikëzimin përfundimtar për 6-të kandidatët, që kanë kaluar fazën e parë të vlerësimit. Deri tani, emrat e të kualifikuarëve janë gjyqtarja Arta Vorpsi, Bensik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Regleta Panajoti. Në mbledhjen e datës 10 shtator, KED bëri pikëzimin paraprak për gjashtë kandidatët, ku Arta Vorpsi mori 89.610 pikë, Besnik Muçi 81.926 pikë, Elsa Toska 85.425 pikë, Fiona Papajorgji 88.783 pikë, Marsida Xhaferllari 81.999 pikë dhe Regleta Panajoti me 80.284 pikë. Të gjashtë emrat e kualifikuara paraprakisht si kandidat për Gjykatën Kushtetuese, do të kalojnë dhe njëherë në sistemin e pikëzimit, që do të jetë i fundit.

Më pas, emrat do t`i dërgohen Presidentit të Republikës dhe Kuvendit. Kështu, nëse deri të premten mbyllet vlerësimi përfundimtar, KED do t`i paraqesë Kuvendit dhe Presidentit listat me kandidatët që kanë më shumë pikë. Së pari, Presidenti ka afat 30 ditë për të përzgjedhur dhe shpallur dekretin për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese për vendin e shpallur vakant. Nëse Ilir Meta do të refuzojë të përzgjedhë një kandidat brenda 30 ditësh, në fund të këtij afati, kandidati i renditur i pari në sistemin e pikëzimit, emërohet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese për vendin vakant. Në fakt, KED do të paraqesë dy lista të ndryshme për kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjes të pakën të katër anëtarëve.


Por si do të zgjidhen anëtarët për Gjykatën Kushtetuese?

Sipas ligjit Nr.8577, datë 10.2.2000 (ndryshuar me ligjin nr.99/2016) “Për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, ky organ suprem gjyqësor, përbëhet nga 9 anëtar, (aktualisht ka vetëm një anëtar gjyqtaren Vitore Tusha). Ndaj, janë 8-të vende vakante. Po sipas këtij ligji, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Në kushtet kur Gjykata e Lartë ende nuk është funksionale, do të jetë vetëm Kuvendi dhe Presidenti që do të zgjedhin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, pasi më herët janë shpallur vakancat, sipas ligjit të sipërpërmendur, në rastet kur ka më shumë se një vend vakant, hartohen dy lista me kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, ku në njërën listë, duhet të jenë emra gjyqtarësh të ardhur nga radhët e gjyqësorit. Praktikisht, KED do të paraqitet me lista të ndryshme, si në Kuvend ashtu dhe te Presidenti, me 6 kandidatë gjithsej.

Presidenti ka 30 ditë afat për të përzgjedhur dhe emëruar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Nëse kreu i shtetit nuk e zbaton këtë të drejtë, automatikisht, kandidati i renditur me më shumë pikë, sipas vlerësimit të KED-së, emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, e njëjta procedurë është dhe për Kuvendin, që pasi ka marrë listat e kandidatëve, brenda 30 ditëve duhet të votojë në parlament me 3/5 një prej tyre. Në rast se kjo nuk ndodhë, atëherë automatikisht përzgjidhet kandidati i renditur në krye të listës nga KED me më shumë pikë. Por, nëse për Presidentin mund të ketë dyshime për dekretimin e emrave të gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese, te Kuvendi kjo gjë nuk pritet të ndodhë. Kështu, në rastin më të keq, pas 30 ditësh, ose thënë ndryshe brenda datës 20 tetor, Gjykata Kushtetuese pritet të ketë të paktën 5 anëtar, një është aktualisht, 3 pritet të votohen në Kuvend dhe 1 pritet (në rast se Meta nuk do të dekretojë 3 emra), pritet të futet automatikisht për shkak të pikëzimit.

Në këto kushte, merr jetë Gjykata Kushtetuese, institucioni kyç i kërkuar nga partnerët e SHBA dhe BE, për t`i dhënë zgjidhje disa çështjeve kryesore, deri te shkarkimi i Ilir Metës. Në fakt, Presidenti duket se nuk do të presë krijimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi ka paralajmëruar se do të largohet më herët nga Presidenca, nëse sipas tij, Komisioni i Venecias do të dërgojë një opinion ku gjen shkelje Kushtetuese të Ilir Metës. Megjithatë, Meta duket se ka kuptuar, madje pranuar tashmë, shkeljet e Kushtetutës. Pasi, fakti që ai u paraqit në Komisionin Hetimor ngritur për hetimin e tij, ishte një sinjal që tregon frikën e Metës për shkarkimin. Për më tepër, në deklaratat e bëra pas paraqitjes në komision dhe pas takimit të delegacionit të Venecias, Meta ka shfaqur dhe më shumë frikën e shkarkimit, duke u shprehur se nuk do të presë një gjë të tillë nga Kuvendi, por do të largohet vetë, duke dhënë dorëheqjen. /Realstory.al/




Skip to toolbar