“Pasuria”, dy herë Vetting, kandidatit të Kushtetueses e SPAK

AKTUALITET


Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi është paraqitur të premten në seancën dëgjimore përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi Komisioneri Publik kërkoi rivlerësimin e tij. Ndaj Besnik Muçit, Komisioneri Publik bëri ankesë, pasi ai kaloi procesin e Vettingut më 12 nëntor të vitit të kaluar.

Sipas ankesës së bërë nga Komisioneri Publik, “prokurori Besnik Muçi, gjendet në pamundësi financiare për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë, si dhe ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamajaftueshëm të pasurisë; rrjedhimisht Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit”. Sipas Komisionerit Publikë, Besnik Muçi nuk justifikon vlerën e kursimeve prej 200 mijë lekësh dhe 4 hua në vlera të ndryshme të marra nga familjarët e tij ndër vite.

Gjatë seancës të së premtes, Besnik Muçi ka kundërshtuar shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i “konsideruar si të pabazuara në ligj e në prova dhe i kërkoi trupit gjykues çeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të reja që i paraqiti gjatë seancës së sotme gjyqësore”.  

Ndërkohë, Trupi gjykues vendosi të marrë si provë aktet e paraqitura në kuadër të shkaqeve të ankimit që lidhen me kriterin e pasurisë, duke i konsideruar të pranueshme nga pikëpamja formale, ndërkohë që vlera e tyre provuese do të analizohet në kuadër të marrjes së vendimit përfundimtar. Megjithatë, KPA ka refuzuar të marrë si provë disa akte shkresore të paraqitura nga Besnik Muçi, që lidheshin me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, pasi konstatoi se këto akte tejkalonin shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik që lidhen vetëm me kriterin e pasurisë.

Ndërkohë, përsa i përket një kërkese që bëri Komisioneri Publik për marrjen si provë të një informacioni të përcjellë nga DSIK pranë Komisionerit Publik më datë 16.11.2018, trupi gjykues vendosi që duke qenë se nuk është pjesë e ankimit, do ta shqyrtojë vetëm pasi të njihet me dokumentacionin dhe ta analizojë atë.

Për shkak të provave të reja, të paraqitura të premten në seancë nga Besnik Muçi, trupa gjykuese e KPA-së ka vendosur që seanca e radhës të shtyhet për në datën 1 tetor, aty ku pritet të ketë dhe një vendim për Prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. Kujtojmë se subjekti i rivlerësimit, Prokurori Besnik Muçi, është kandidat për tu bërë anëtar e Gjykatës Kushtetuese në vend, njëherazi kandidat edhe për tu bërë pjesë e Prokurorisë Speciale, SPAK. /Realstory.al/



Skip to toolbar