Pas Komisionerit Johanes Hahn, ka ardhur dhe reagimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, e cila ka shprehur solidaritet për Shqipërinë, pas tërmetit të së shtunës. Në një komunikatë zyrtare, e publikuar nga Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, Mogherini shprehet se ka pasur një bisedë me Kryeministrin Edi Rama. Ajo i ka shprehur mbështetjen shefit të qeverisë, duke theksuar se BE është gati të ofrojë ndihmë për Shqipërinë.
“Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, i shprehu solidaritet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas një seri tërmetesh shkatërruese që goditën Shqipërinë, duke plagosur dhjetëra njerëz dhe duke shkaktuar dëme jashtëzakonisht të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë. Në kontaktin e tyre, Përfaqësuesja e Lartë uroi shërim të shpejtë për të gjithë të dëmtuarit”.
“Ajo gjithashtu nënvizoi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ofruar ndihmë, edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Ndërsa Kryeministri Edi Rama anuloi udhëtimin e tij për në New York për javën ministrore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai do të zëvendësohet nga Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, në darkën që Përfaqësuesja e Lartë mban sot me krerët e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e publikuar nga ambasadori i BE.