Petro Koçi, zëvendësministri i Mbrojtjes, deklaroi se arsyeja se pse disa banesa shemben nga tërmeti është për shkak të teknologjisë së vjetër të ndërtimit dhe në këtë rast duhet të nxirret një konkluzion nga shteti për mënyrën se si duhet ndërhyrë në to. Gjatë emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Koçi tha se duhet studiuar natyra e ndërtesave në Shqipëri dhe të arrihet në një përfundim se si shteti duhet t’ia bëjë më të sigurt jetën qytetarëve.
“Ka nevojë të studiohet natyra e ndërtesave në Shqipëri. Ndërtesat e vjetra janë të parat që rrëzohen. Është pikërisht kjo teknologji e vjetër ndërtimi që i bën ato të pabanueshme. Për këtë kategori banesash, duhet të nxirret një konkluzion, ose këto banorë të mos jetojnë më aty dhe të zhvendosen në banesa të tjera të forta, ose të ndërhyhet në restaurimin e tyre me materiale të duhura dhe qytetarët të jenë më të sigurt.” u shpreh Petro Koçi, i cili theksoi se qeveria aktuale ka një reagim shumë herë më të mirë për emergjencat civile se sa qeveritë e kaluar.
“Kjo qeveri e ka menduar shumë herë më mirë se qeveritë e mëparshme reagimin për emergjencat. Emergjencat i kaloi në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, aty ku janë edhe kapacitetet më të mëdha reaguese në rastet e të fatkeqësive natyrore. Sot kemi një ligj të ri, që është ligji i Mbrojtjes Civile, ku përparësi nuk merr vetëm reagimi i institucioneve por edhe parandalimi i tyre. “ tha Koçi
Edhe për drejtorin e Institucionit të ndërtimit, Agron Hysenlliu dëmi më i madh vjen si pasojë e degradimit të materialit që është përdorur në ndërtim.
“Materialet e ndërtimin degradojnë me kalimin e kohës. Tulla mund të jetë material rezistues i kohës, por materiali lidhës që është përdoru është degraduar dhe nuk e bën më punën e tij. Kjo çon në rrëzim të banesave apo bërjen e tyre të rrezikshme dhe të pajetueshme.” tha Hysenlliu
Në lidhje me kontrollet e banesave Hysenlliu tha se Instituti i Ndërtimit bën kontrolle vetëm në rastet që kanë problematika dhe jo në ndërtesat e tjera të vendit. / Real Story