Skaf me drogë drejt Turqisë? Policia zbardh të vërtetën

AKTUALITET


Lajmi se dy gomone me drogë, që vinin nga Shqipëria janë ndaluar në ujërat e territorit grek është hedhur poshtë nga policia shqiptare. Sipas Policisë së Shtetit, ky lajm nuk është aspak i vërtet pasi gomonet nuk janë nisur nga Shqipëria dhe operacioni i policisë greke po zhvillohet në kufirin Greqi-Turqi. Megjithatë policia konfirmon se gjatë arrestimit janë kapur dy shtetas shqiptarë, por nuk i është gjetur drogë.

“Nga komunikimi paraprak me homologët grekë, lajmi i dhënë në media është tërësisht i pavërtetë. Operacioni zhvillohet në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë dhe jo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe nga komunikimi i deritanishëm dhe shkëmbimi i informacionit  nuk ka asnjë të dhënë që  mjetet lundruese të jenë nisur nga Shqipëria.”

Policia shqiptare konfirmon se gjatë operacionit të policisë greke është kapur një prej mjeteve lundruese, brenda të cilit nuk është gjetur lëndë narkotike dhe ka ndaluar dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian që ndodheshin në bordin e skafit.

Më herët disa media në vend, duke cituar mediat greke, publikuan lajmin se dy gomone me drogë, që mund të ishte nisur nga Shqipëria, ishin në ndjekje nga rojat bregdetare greke dhe turke. Sipas mediave greke, operacioni është zhvilluar në ujërat greke. Dy skafet janë pikasur fillimisht nga rojet bregdetare turke të cilët i kanë ndjekur nga pas, por pa sukses. Në ndihmë të tyre erdhën edhe 10 anije greke, një avion dhe një helikopter i FRONTEX, të cilët bënë të mundur kapjen e njërës prej gomoneve. Në pranga ranë tre persona, ku referuar mediave greke, dy nga të arrestuarit janë shqiptarë dhe një tjetër italian.

Një lajm i tillë, për ndalimin e dy shqiptarëve dhe një italian është konfirmuar edhe nga policia shqiptare, por këta të fundit mohojnë që në skaf të jetë gjetur drogë dhe nuk ka të dhëna që dy skafet të jenë nisur nga Shqipëria.



Skip to toolbar