Prej kësaj jave, 5 vjet burg, nëse godet arbitrin

AKTUALITET


Duke nisur nga fundi i kësaj jave, kur do të zhvillohen garat e radhës sportive në vend, tifozët që dhunojnë lojtarin, trajnerin, arbitrin apo ndërjmetësin sportiv, do të përfundojnë në burg. Në datën 24 shtator u botuan në Fletoren Zyrtare ndryshimet në Kodin Penal, që ashpërsojnë masat për të gjithë personat që shkaktojnë akte dhune në stadime apo gara sportive.

Sipas Nenit 274/a, “Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.  Po kjo vepër, kur kryhet në mjediset sportive më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në nenin e ri të Kodit Penal, që do të përdoret për akte të shëmtuara në tribunat e stadiumeve.


Në ndryshimet e Kodit Penal, është shtuar dhe Neni 274/b, i cili parashikon masa ndëshkuese të ashpra edhe për tifozët që hedhin mjete piroteknike, fishekzjarre, flakadanë  gjatë zhvillimit të një ndeshje. Tifozët, që kryejnë aktet e sipërpërmendura, do të dënohen deri në 3 vjet me burg.

“Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar ose pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po  kjo vepër penale, kur kryhet në aktivitetet sportive ndërkombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në nenin e shtuar në Kodin Penal.

Këto ndryshime ligjore u kërkuan nga Federata Shqiptare e Futbollit, pas akteve të dhunës në stadiumin e Kamzës, ku zyrtarët e klubeve sulmuan arbitrin e ndeshjes së bashku me tifozët. Për këtë arsye, ndaj klubit të Kamzës u morën masa të ashpra disiplinore duke u përjashtuar nga kampionati, ndërsa FSHF kërkoi ndihmën e qeverisë për ashpërsimin e Kodit Penal për personat që kryejnë akte të tilla dhune. /Realstory.al/




Skip to toolbar