Tirana drejt Turqisë për fazën përgatitore. Planifikon tre ndeshje miqësore

Tirana u jep fund pushimeve të shtunën, duke u nisur për të kryer fazën përgatitore në qytetin turistik turk, Antalia. Klubi bardheblu njoftoi të premten se grupi i lojtarëve së bashku me stafin teknik, do të nisen të dielën për në Antalia, ndërsa të shtunën do të kryejnë një seancë stërvitore në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”.

Në Turqi, Tirana do të qëndrojë dy javë nën drejtimin e trajnerit Emanuel Egbo. Gjatë përgatitjeve dimërore për rifillimin e kampionatit, Tirana ka planifikuar edhe zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore. Kështu, takimi i parë do të jetë në datën 8 janar kundër ekipit turk të Alaniaspor.

Takimi i dytë do të zhvillohet ndaj hungarezve të Mezokovezdi ndërsa në datën 15 janar do të luaj kundër Korona Kielce nga Polonia. Këto ndeshje do ti shërbejnë trajnerit Egbo për të kolauduar ekipin për rinisjen e kampionatit. Ndërkohë, në Turqi pritet të udhëtojnë dhe ekipe të tjera të Superligës, teksa Partizani dhe Kukësi e kanë konfirmuar deri më tani.

Një “doktor”, arbitër i Turqi-Shqipëri

UEFA caktoi zyrtarisht gjyqtarët që do të vendosin drejtësi në sfidën e të premtes mes Turqisë dhe Shqipërisë. Një katërshe nga Rumania do të drejtojë këtë sfidë, me kryesor arbitrin që mban stemën e FIFA-s, Ovidu Alin Hategan. Arbitri 39-vjeçar, do të asistohet nga Octavian Șovre dhe Sebastian Gheorghe, ndërsa Sebastian Coltescu do të jetë arbitër i katërt në këtë sfidë. Po kush është arbitri kryesor?

Ovidiu Alin Hategan është i datëlindjes 17 korrik të vitit 1980. Ai është arbitër ndërkombëtar prej vitit 2008, ndërsa profesioni i tij i parë është doktor. Ovidiu Alin Hategan vjen nga një eksperiencë e gjatë si arbitër ndërkombëtar, duke drejtuar ndeshje në të gjitha nivelet. Vetëm disa javë më parë, ai ishte arbitër i takimit të fazës në grupe të UEFA Champions League, mes Barcelonës dhe Dortmund, që u mbyll 0-0.

Ndërsa, po në këtë kompeticion për sezonin aktual, 39-vjeçari rumun, gjykoi ndeshjen midis Rosenborg dhe Dinamo Zagreb në fazën e play-offs. Gjithashtu, ai ka gjykuar edhe takime të rëndësishme në nivele kombëtaresh, si Zvicër-Angli në UEFA Nations League, ndërsa eksperienca pasurohet me takime në UEFA Europa League.

Takimi i së premtes nuk do të jetë i pari, që arbitri rumun do të gjykojë Shqipërinë. Në vitin 2012, arbitri Ovidiu Alin Hategan, ishte kryesori i takimit Zvicër – Shqipëri, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror, që përfundoi me fitoren 1-0 të Zvicrës. Ndërkohë, arbitri rumun numëron rreth 114 ndeshje ndërkombëtare në karrierën e tij. Ai jep mesatarisht rreth 3 kartona të verdhë gjatë një ndeshje, dhe 0.1 të kuq, ndërsa jep 0.11 penallti për ndeshje.

Skaf me drogë drejt Turqisë? Policia zbardh të vërtetën

Lajmi se dy gomone me drogë, që vinin nga Shqipëria janë ndaluar në ujërat e territorit grek është hedhur poshtë nga policia shqiptare. Sipas Policisë së Shtetit, ky lajm nuk është aspak i vërtet pasi gomonet nuk janë nisur nga Shqipëria dhe operacioni i policisë greke po zhvillohet në kufirin Greqi-Turqi. Megjithatë policia konfirmon se gjatë arrestimit janë kapur dy shtetas shqiptarë, por nuk i është gjetur drogë.

“Nga komunikimi paraprak me homologët grekë, lajmi i dhënë në media është tërësisht i pavërtetë. Operacioni zhvillohet në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë dhe jo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe nga komunikimi i deritanishëm dhe shkëmbimi i informacionit  nuk ka asnjë të dhënë që  mjetet lundruese të jenë nisur nga Shqipëria.”

Policia shqiptare konfirmon se gjatë operacionit të policisë greke është kapur një prej mjeteve lundruese, brenda të cilit nuk është gjetur lëndë narkotike dhe ka ndaluar dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian që ndodheshin në bordin e skafit.

Më herët disa media në vend, duke cituar mediat greke, publikuan lajmin se dy gomone me drogë, që mund të ishte nisur nga Shqipëria, ishin në ndjekje nga rojat bregdetare greke dhe turke. Sipas mediave greke, operacioni është zhvilluar në ujërat greke. Dy skafet janë pikasur fillimisht nga rojet bregdetare turke të cilët i kanë ndjekur nga pas, por pa sukses. Në ndihmë të tyre erdhën edhe 10 anije greke, një avion dhe një helikopter i FRONTEX, të cilët bënë të mundur kapjen e njërës prej gomoneve. Në pranga ranë tre persona, ku referuar mediave greke, dy nga të arrestuarit janë shqiptarë dhe një tjetër italian.

Një lajm i tillë, për ndalimin e dy shqiptarëve dhe një italian është konfirmuar edhe nga policia shqiptare, por këta të fundit mohojnë që në skaf të jetë gjetur drogë dhe nuk ka të dhëna që dy skafet të jenë nisur nga Shqipëria.

“Mami mos vdis”, burri vret gruan në sy të fëmijës

Një krim makabër ka ndodhur në sy të një fëmije ku një grua është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në Turqi, ku çifti i divorcuar ishin takuar në një kafene së bashku me vajzën e tyre, 10 vjeçe. Gjatë një debati burri ka marrë thikë dhe gjuajtur ish-bashkëshorte 38-vjeçare Emine Bulut, me të cilën ishte ndarë prej 4 vitesh.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në sy të fëmijës e cila është traumatizuar dhe vetëm bërtiste “mami të lutem mos vdis.” Policia ka vënë në pranga autorit.

Aksidentohet për vdekje zëvendësministri i kulturës, plagosen 3 të tjerë

Një aksident i ndodhur në provincën Van të Turqisë, ka çuar në vdekjen e zëvendësministrit të Turizmit dhe Kulturës, Haluk Dursun.

Ahmet Haluk Dursun ishte duke zhvilluar disa vizita në zonë në lidhje me disa përkujtime të vendeve historike dhe më pas u largua me makinën qeveritare. Sipas mediave turke raportohet se shoferi ka humbur kontrollin, duke përfunduar në një pellg, që i mori jetën zëvendësministrit dhe plagosi 3 persona të tjerë.

Dursun, 62 vjeç,  ishte emëruar zëvendësministër i Kulturës dhe Turizmit në korrik 2018, ndërsa në lidhje me ngjarjen shprehu ngushëllimet edhe presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.

 “U trishtova thellë kur dëgjova për vdekjen e Ahmet Haluk Dursun, Nënsekretarit të Kulturës dhe Turizmit. Allahu e bekoftë për shërbimet e tij unike dhe kontributin për vendin tonë”, tha Erdogan

Bazat amerikane në Turqi në rrezik, në mesin e tensioneve me Ankaranë

Ankaraja paralajmëroi se sanksionet amerikane do të vinin në rrezik të madh vazhdimin e përdorimit nga SHBA-ja, të bazave ajrore ushtarake që ndodhen në territorin turk. Ky zhvillim vjen në një kohë kur Uashingtoni po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Turqisë, për shkak të blerjes nga kjo e fundit, të sistemeve raketore ruse.

Përdorimi i bazës ajrore Inçirlik shihet si jo vetëm me rëndësi jetike ushtarake, por nënvizon marrëdhëniet strategjike mes dy aleatëve të NATO-s.

“Aktualisht po përpilojmë masat e kundërpërgjigjes, që lidhen qoftë me bazën e Inçirlikut, apo atë të Kureçikut (baza amerikane të radarëve në Turqi) si dhe çështje të tjera”, tha ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Uashington këtë javë, në atë që shihet si përshkallëzimi më i fundit në tensionet mes dy vendeve.

“Nëse Amerika bën hapa shumë negative ndaj nesh, nëse do të ketë sanksione apo hapa të mëtejshëm, do të kemi një përgjigje ndaj saj”, shtoi ai.

Sipas njoftimeve muajin e kaluar, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri një kërcënim të ngjashëm lidhur me përdorimin e bazës së Inçirlikut, gjatë takimit të tij me Presidentin Donald Trump në periferi të takimit të grupit të G 20-s që u mbajt në Osaka të Japonisë.

Blerja nga Turqia e sistemeve ruse të mbrotjes raketore S-400 shkel atë që njihet si Akti mbi Përgjigjen ndaj Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA), që ndalon blerjet e mëdha të pajisjeve ushtarake ruse.

Sipas CAATSA-s, Ankaraja mund të përballet me sanksione të forta ekonomike.

Blerja e sistemeve S-400 solli si rezultat përjashtimin e Turqisë nga programi për blerjen e avionëve amerikanë F-35. Zyrtarët amerikanë besojnë se vendimi i Turqisë për të përdorur teknologjinë ruse me radare të avancuar, mund të kompromentojë sistemet ushtarake të NATO-s. F-35 është avioni më i ri luftarak i NATO-s me teknologji të avancuar.

Analistët thonë se Ankaraja e ka parë gjithmonë përdorimin e bazës së Inçirlikut nga SHBA-ja, si një levë të rëndësishme për ta përdorur në kohë tensionesh mes dy palëve. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, baza e madhe ajrore e vendosur pranë kufirit sirian ka qenë jetike për interesat strategjike të SHBA-së. Sipas agjencive mbikëqyrësve bërthamore, në bazën e Inçirlikut ndodhet 50 armë bërthamore.

Forcat amerikane vazhdojnë ta përdorin Inçirlikun në përpjekjet kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik, si në Irak ashtu edhe në Siri. Ajo gjithashtu përdoret si një qendër e rëndësishme logjistike. Por analistët thonë se rëndësia e Inçirlikut shtrihet përtej interesave ushtarake./VOA/

Shpimet për gaz në Qipro, BE kërcënon Turqinë me sanksione

Bashkimi Europian ka kërcënuar Turqinë me shkurtim të fondeve nëse ajo nuk i ndal shpimet e paligjshme për gaz dhe naftë në hapësirën detare të Qipros.

Donald Tusk, presidenti në largim i Këshillit Evropian, tha se nëse Turqia nuk ndal shpimet e saj do të detyrojë BE të përgjigjet me sanksione e masa ndaj saj.  

“Pavarësisht nga synimet tona për të mbajtur marrëdhënie të mira fqinjësore me Turqinë, përshkallëzimi i vazhdueshëm i saj dhe sfidimi ndaj sovranitetit të shtetit tonë anëtar Qipros, në mënyrë të pashmangshme do ta detyrojë BE-në të përgjigjet në solidaritet të plotë.”  ka thënë Tusk i cili shton se nën udhëheqjen e presidentit Erdogan, Turqia po largohet nga blloku europian.

Turqia po kryen shpine në hapësirën detare të Qipros për gjetjen e gazit dhe naftës dhe i cilëson ato të ligjshme, ndërsa BE e njeh këtë zonë si “zonën ekonomike ekskluzive e Qipros”.

Turqi, sekuestrohen 18 gram kalifornium me vlerë 72 milionë dollarë, ja për çfarë përdoret

Pas ndalesës së një automjeti të dyshuar dhe pas kontrollit të detajuar u gjetën 18,01 gram të substancës radioaktive kalifornium e cila përdoret për armë bërthamore dhe në termocentrale atomike.

Policia turke në rajonin e Detit të Zi, në qytetin Bolu, sekuestroi substancën radioaktive kalifornium me vlerë 72 milionë dollarë, e cila përdoret për armë bërthamore dhe në termocentrale atomike, raporton Anadolu Agency.

Zyra e guvernatorit në Bolu është prononcuar përmes një deklarate në të cilën thuhet se Departamenti policor kundër trafikimit dhe krimit të organizuar ndërmori një operacion gjatë të cilit kanë ndjekur një automjet.

Pas ndalesës të automjetit të dyshuar dhe pas kontrollit të detajuar u gjetën 18,01 gram të substancës radioaktive kalifornium e cila përdoret për armë bërthamore dhe në termocentrale atomike.

Më tej thuhet se substanca e sekuestruar kalifornium kap vlerën rreth 72 milionë dollarë ndërsa sasia e konfiskuar e substancës në fjalë është dorëzuar në Agjencinë turke të energjisë atomike.

Lidhur me sekuestrimin e substancës janë arrestuar të paktën 5 persona, ndaj të cilëve kanë nisur hetimet.

Shpërthim autobombe në Turqi, raportohen 3 të vdekur, Erdogan: Sulm terrorist

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një automobili në nënprefekturën Reyhanllë të rrethit Hataj, në Turqi.

Bëhet e ditur se në shpërthimin që ndodhi rreth 750 m. larg prefekturës së Rejhanllësë, 3 të vdekurit ishin sirianë.

Në vendngjarjen, e marrë gjerësisht nën rrethim për masa sigurie, u dërguan shumë ambulanca dhe efektivë të policisë.

Në rajon u dërguan ekipe të çaktivizimit të bombave.

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdoan, në deklaratën që bëri në lidhje me shpërthimin, tha se sipas përcaktimeve të para, duket se ngjarja mund të ketë lidhje me terrorin.

Presidenti Erdoan, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas namazit të xhumasë, tha: “Duket qartë se në automjet kishte bombë. Si pasojë e shpërthimit dhe informacioneve të Ministrisë tonë të Brendshme, kanë vdekur të tre personat (në makinë). /TRT/

Raketat ruse S-400, shtohen mosmarrëveshjet SHBA-Turqi

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia nuk duket se bënë përparim të mërkurën drejt zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje të madhe rreth planeve të Ankarasë për të blerë një sistem rus të mbrojtjes ajrore, pak përpara livrimit të pritshëm të tij në korrik.

Bisedimet u zhvilluan gjatë takimeve në selinë e NATO-s në Bruksel.

Shtetet e Bashkuara thonë se blerja e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 paraqet një kërcënim për blerjen e planifikuar nga Turqia të avionëve amerikanë Stealth F-35 të firmës Lockheed Martin.

Uashingtoni thotë se Ankaraja nuk mund t’i ketë të dyja dhe ka filluar procesin e heqjes së Turqisë nga programi i avionëve F-35, përfshirë ndërprerjen e trajnimit të pilotëve turq në Shtetet e Bashkuara për avionët e avancuar Stealth.

Mark Esper, sekretari amerikan i mbrojtjes në detyrë, paralajmëroi homologun e tij turk Hulusi Akar gjatë bisedimeve me dyer të mbyllura se blerja e sistemit rus do të kishte gjithashtu një ndikim ekonomik, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes i SHBA, duke aluduar për sanksione të pritshme nga SHBA.

“Sekretari ishte shumë i vendosur, edhe njëherë, se Turqia nuk mund t’i ketë të dyja, edhe S-400 edhe F-35. Dhe nëse ata pranojnë S-400 ata duhet të pranojnë pasojat jo vetëm për programin F-35 por edhe ato ekonomike.”

Blerja e pajisjeve ushtarake nga Rusia e lë Turqinë të zbuluar ndaj ndëshkimit nga SHBA, në bazë të një ligji të vitit 2017, i njohur si CAATSA.

Turqia ka hedhur poshtë shqetësimet e SHBA për sigurinë e avionëve F-35 dhe këmbëngul se nuk mund të largohet nga blerja e sistemit S-400. Oferta e SHBA për ta furnizuar Turqinë me raketa Patriot, prodhuar nga kompania amerikane Raytheon Co, nuk ka ndikuar mbi Ankaranë.

Tensionet midis Uashingtonit dhe Ankarasë tashmë shtrihen përtej avionëve F-35 dhe përfshijnë strategjinë në Siri, sanksionet ndaj Iranit dhe çështje të tjera. /Zëri Amerikës/

Skip to toolbar