Është shoqëruar me debate dhe akuza pjesëmarrja e kryetares së grupit parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari në një aktivitet në shkollën Shejnaze Juka në Shkodër ku ka folur për situatën politikën në vend. Ndërsa ishte duke folur dhe duke thënë se politikanët shqiptarë duhet të bëjnë më shumë për integrimin e Shqipërisë në BE, një nga nxënësit e pranishëm ka hedhur akuza ndaj saj, duke thënë se ajo është turp për vendin pasi bashkëpunon me Edi Ramën.
Hajdari e ka trajtuar me sportivitet sulmin ndaj saj, duke e ftuar nxënësin t’ia thotë në sy hapur atë që mendon.
“Ti nuk e njeh Azem Hajdarin. Ai luftoi për demokracinë, ndërsa ti je turp për vendin sepse bashkëpunon me Edi Ramën”, u shpreh nxënësi, por që në fakt bëhet e ditur se ai nuk ishte nxënës i asaj shkolle, por i ardhur nga jashtë.
“Ajo çfarë ndodhi tani është pikërisht ajo çfarë na ka bërë politika sot. Na ka ndarë të PD-së dhe të PS-së. Në rradhë të parë ne jemi shqiptarë. Nuk duhet ta lejojmë politikën të na përçajë”, është shprehur Hajdari duke marrë dhe mbështetjen e të rinjve të pranishëm.
Ajo tha se incidente të tilla ndodhin kudo dhe kjo nuk e shqetëson atë.
Hajdari ka dhuruar disa libra për shkollën Shejnaze Juka me rastin e Ditës Europiane të gjuhëve të Huaja. Ajo tha se infrastruktura e shkollës lë shumë për të dëshiruar dhe kërkoi që të bëhen më shumë investime për institucionet arsimore. Kujtojmë se shkolla Shejnaze Juka u përfshi nga zjarri gjatë protestave të dhunshme të opozitës para zgjedhjeve të 30 qershorit ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.
Megjithëse është vajza e Azem Hajdarit, Rudina Hajdari është përjashtuar nga PD për shkak se ajo refuzoi të dorëzonte mandatin e deputetes duke dalë kështu kundër vendimit të grupit parlamentar. Që atëherë ajo shihet nga demokratët si tradhtare siç është edhe rasti i këtij incidenti në Shkodër./realstory.al