Premtimi i Metës: Iki, nëse Venecia më gjen në shkelje

POLITIKË


Komisioni i Venecias renditi disa shkelje të Presidentit Meta në lidhje me shkeljen e Kushtetutës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Vetë presidenti Meta u shpreh gjatë një interviste për Çim Pekën se nëse do të gjendeshin shkelje të Kushtetutës nga ana e tij, ai do të jepte dorëheqjen pa pritur fare vendimin e Kuvendit. Të premten pasdite RealStory.al siguroi draftin paraprak të Komisionit të Venecias, në të cilin renditeshin disa shkelje të Presidentit Meta për aktin e tij të çdrekretimit. Venecia e ka lënë shkarkimin në dorën e Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë vetë Meta do e mbajë fjalën e tij? Ai bëri një deklaratë të fortë kur tha se nëse kapet në shkelje nga Venecias largohet nga detyra pa pritur fare vendimin e Kuvendit të Shqipërisë duke thënë se si “mund të rri unë në detyrë, nëse Venecia thotë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën”, kur është pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse do jepte dorëheqjen nëse Komisioni i Venecias e kapte në shkelje.

 “Nëse Venecia thotë që Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, patjetër që do ta jap dorëheqjen. Unë kam dhënë dorëheqjen kur kam qenë kryeministër për një gjë që nuk kishte lidhje fare me mua. Të thotë Komisioni i Venecias që Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe unë të rri president? Kurrë në botë. Por kjo është qesharake, se thonë “ka çdekretuar”. Unë kam bërë një punë normale, kam çdekretuar dekretin që kam nxjerrë vetë. Ky është një dekret ekskluziv i Presidentit. Ti kujton se po rri unë në punë. Unë e ndjej veten se jam në mision. Siç e kanë shkelur 100 herë ata kushtetutën, unë jam i bindur se e kam respektuar Kushtetutën.

Gjithë këto PPP që po kalojnë do të marrin ndonjë gjë edhe ata për sa kohë heshtin. Unë do të vazhdoj të jem në politikë dhe të përfaqësoj njerëzit që besojnë tek unë.

Nëse shikoj që Komisioni i Venecias lobohet, do të iki përsëri. Unë kam shprehur respekt për Komisionit të Venecias. Unë i qëndroj të gjitha deklaratave që kam thënë më përpara. Jam i vendosur të mbrojë interesin kombëtar. Ia kam thënë Edi Ramës të parit”, tha Meta

Pyetja që ngrihet është e thjeshtë, a do ta mbajë fjalën presidenti Meta dhe të jap dorëheqjen? / Real Story



Skip to toolbar