Meta mbytet në “Venecia”: Shkeli “pak” Kushtetutën

POLITIKË


RealStory.al ka siguruar draftin paraprak të Komisioni të Venecias për hetimet që ka zhvilluar ndaj Presidentit Ilir Meta, në lidhje me Shkeljen e Kushtetutës. Në raportin paraprak Komisioni i Venecias cilëson se presidenti i ka tejkaluar kompetencat e tij duke shkelur Kushtetutën, pasi ai mund të anulojë zgjedhjet vendore në një situatë emergjente vetëm përmes një baze ligjore specifike ad-hoc – për të shtyrë zgjedhjet. Sipas Komisionit të Venecias anulimi i zgjedhjeve  bëhet i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në këtë rast, thuhet në raport, nuk u ndoqën as rregullat kushtetuese për situatat emergjente dhe as nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc.

Në përgjigje të kërkesës për një mendim nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Komisioni i Venecias del në përfundimin, që në mungesë të një dispozite ligjore për këtë çështje, që Presidenti mund të anulojë zgjedhjet vetëm për organet e qeverisjes vendore në një situatë që plotëson kriteret për marrjen e masave emergjente. Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike – ad-hoc – për të shtyrë zgjedhjet. Ky përfundim mbështetet nga rregulli i përgjithshëm interpretues, sipas të cilit rregullimi i shprehur i kompetencave të urgjencës në Kushtetutë dhe ligjet e kufizon përdorimin e çdo fuqie plotësuese të pashkruar të emergjencave në situata shumë të jashtëzakonshme; kryesisht për situata me pamundësi faktike ose juridike të cilat nuk parashikohen në mënyrë të qartë nga ligji i shkruar i urgjencës. Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk u ndoqën në këtë rast. As nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc.” thuhet në raportin e Venecias


Në raport theksohet edhe shkelja e presidentit Meta në lidhje me të drejtat elektorale të qytetareve duke shtyrë të drejtën e tyre për të vendosur dhe votuar. Në të është përcaktuar edhe bojkoti i partive politike që nuk mund të merret si një arsye e mjaftueshëm që të mos mbahen zgjedhje të rregullta, përndryshe këto parti do të krijonin të njëjtën situatë sa herë të dëshironin.

Anulimi i zgjedhjeve gjithashtu prek të drejtat elektorale të njohura nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe thjesht aplikimi i “actus contrarius” parandalohet nga kërkesa e proporcionalitetit të çdo ndërhyrje. Bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të parandalojë që të bëhen zgjedhje të rregullta. Përndryshe, këto parti do të merrnin levën për të parandaluar plotësisht çdo zgjedhje.” shkruhet në raport.

Në shkeljen e radhës thuhet se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës duke anuluar së pari dhe më pas duke shtyrë zgjedhjet lokale. Por për këtë Komisioni i  Venecias deklaron se do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendos nëse ka ‘shkelje serioze” që do të fajësonin presidentin për shkarkimin e tij.

“Presidenti tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës duke anuluar së pari, duke shtyrë më pas zgjedhjet lokale. Është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë nëse kjo ka të bëjë me “shkelje serioze”, të cilat do të lejonin një fajësim të Presidentit.”

Megjithatë në raportin e Komisionit të Venecias thuhet se pavarësisht këtyre shkeljeve dhe tejkalimit të kompetencave të tij rekomandohet që Presidenti të mos shkarkohet. Madje Komisioni rekomandon se edhe nëse konstatohet serioziteti i këtyre shkeljeve kjo nuk duhet të çojë në shkarkim të presidentit në mënyrë që të ruhen ekuilibrat dhe parimi “check and balance”.

Të marra së bashku, të gjithë këta elementë çojnë në përfundimin, që megjithëse Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore. Sidoqoftë, elementet e paraqitura më lart mund të çojnë në përfundimin se këto akte nuk mund të kenë qenë të një natyre serioze të mjaftueshme për të garantuar një shkarkim të Presidentit. Më në fund, edhe nëse u konstatua serioziteti i shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërish të çojë në një fajësim të Presidentit, duke marrë parasysh fuqinë e Sesionit Plenar të Kuvendit për të marrë parasysh qëllimet kushtetuese, siç janë kontrollet dhe ekuilibrat.” mbyllet raporti i Komisionit të Venecias.

Edhe pse Komisioni shprehet për ruajtjen e balancave qeverisëse, në fakt vëren se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me disa pika të saj. Komisioni i Venecias e ka lënë në dorë të Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e tij. Më herët Meta, gjatë një interviste për Çim Pekën në Syri.net u shpreh se do të japë dorëheqjen nëse ekspertët e Komisionit të Venecias rekomandojnë shkarkimin e tij, pa pritur fare vendimin e Kuvendit të Shqipërisë.  “Nëse rekomandimi i Venecias është për shkarkimin tim, patjetër do jap dorëheqjen. Të thotë Venecia që e kam shkelur Kushtetutën  dhe unë të rri President, kjo nuk ndodh.” është shprehur Meta. Pas gjithë shkeljeve që renditi Komisioni i Venecias, A do të jap dorëheqjen presidenti Ilir Meta?




Skip to toolbar