Tirana dhe Partizani përballen mbrëmjen e të dielës në orën 19:00 mes tyre, në ndeshjen e parë derbi të këtij sezoni. Një nga sfidat më emocionuese të historisë së futbollit shqiptar, pritet të dhurojë spektakël në fushë dhe në tribuna, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Sfida e të dielës do të jetë e 154-ta në historinë e përballjeve mes tyre, ku Tirana vjen me një bilanc negativ në pesë vitetet e fundit, pasi nuk ka fituar asnjëherë ndaj Partizanit. Megjithatë, skuadra e këtij sezoni duket premtuese dhe në radhët e klubit ka optimizëm. Por si ka nisur historia e përballjeve mes Tiranës dhe Partizanit?
Ndeshja e parë mes dy skuadrave është luajtur në vitin 1947, takim që në atë kohë Partizani e fitonte me rezultatin 4-2. Më pas nisi një epokë e tërë, me Partizanin që ka fituar të paktën 65 takime, Tirana 40 dhe 48 të tjerë kanë përfunduar në barazim. Por pavarësisht historive të ndeshjeve derbi, Tirana krenohet pasi është klubi me më shumë tituj kampion në Shqipëri, plotë 24 herë, ndërsa Partizani ka 16.
Skuadra bardheblu ka fituar dhe 16 Kupa të Shqipërisë dhe 1 herë Superkupën, ndërsa dy sezone më parë, fitoi dhe kampionatin e Kategorisë së Parë. Në sezonin e fundit Partizani fitoi tre nga katër ndeshjet e derbit, kryesisht me rezultate minimale, ndërsa një takim përfundoi në barazim. Aktualisht Tirana ka bërë sezon më të mirë se të kuqtë, pasi numëron 10 pikë në renditje dhe mban vendin e tretë, me një pikë më pak se dy vendet e para. Ndërsa Partizani është në vendin e 7-të të renditjes me po kaq pikë.
Tirana ka disa statistika të tjera me të cilat krenohet, siç është golashënuesi më i mirë. Refik Resmja mban rekordin me 14 gola të shënuar në derbi, ndërsa pas tij vjen Indrit Fortuzi me 11. Në vendin e tretë është Agim Murati për Partizanin me 11 gola, ndërsa më pas është Agustin Kola me 10.
Një nga fitoret më të thella të Tiranës ndaj Partizanit është ajo e 30 prillit të vitit 2005, ku bardheblutë triumfuan me rezultatin 4-0, ndërsa ndeshja me rezultat historik është ajo e sezonit 1985/86, kur Tirana fitoi 7-3. Ndërkohë, Partizani ka fituar ndaj Tiranës me rezultatet e thella 8-0 në vitin 1947 dhe 6-0 në vitin 1950.