Video/ Mbyllet barazim pjesa e parë e derbit Partizani-Tirana

AKTUALITET


Është mbyllur në barazim 1-1 pjesa e parë e derbit mes Partizanit dhe Tiranës. Ndeshja nisi me dy gola të shënuar brenda 10-të minutave të para të lojës. Sapo nisi loja, të dyja skuadrat nisën sulmin në portat kundërshtare. Ndaj nuk zgjati shumë dhe erdhi zhbllokimi i rezultatit.

Një gol i shënuar nga Idi Batha i dha avantazhin Tiranës në minutën e 7 ta takimit. Mesfushori bardheblu shënoi pas një asisti të bukur nga Torasa, ndërsa Batha me kokë gjeti cepin e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha. Por festa zgjati vetëm tre minuta. Partizani u rikthye në sulm për të vendosur barazpeshën.


Në të 10`, ishte Bardhi që tundi rrjetën e Likës. Sulmuesi i të kuqve shënoi pas një rrëmuje në zonë dhe mos kontrolli të topit mirë nga portieri bardheblu. Megjithatë, skuadra e Tiranës pretendon për një pozicion jashtë loje, por gjyqtarët e takimit vendosën të quajnë të rregullt golin. Ndërkohë, atmosfera në “Air Albania Stadium” është fantastike.

Pas shënimit të dy golave, ndeshja ka qenë e ekuilibruar por me ritëm të lartë. Të dyja ekipet kanë shkuar disa herë në portat kundërshtare, por pa arritur të ndryshonin rezultatin. Kujtojmë se Tirana nuk fiton një ndeshje derbi prej 5 vjetësh ndaj Partizanit.

Para fillimit të takimit, tifozët e Partizanit i dedikuan koreografinë e tyre viktimave të tërmetit të 26 nëntorit. Ndërkohë, në tapetin e blertë parakaluan edhe forcat e ushtrisë, zjarrfikësit apo policisë, të cilët punuan për nxjerrjen e trupave nga rrënojat. Partizani ka vendosur të dhurojë një pjesë të arkëtimeve nga biletat për fondin e rindërtimit.




Skip to toolbar