Seanca parlamentare e së enjtes ka nisur me diskutimin e deputetëve rreth projekt-rezulotës së propozuar nga deputetet Senida Mesi dhe Rudina Hajdari për negociatat me Bashkimin Europian.
Më i ashpër në fjalën e tij ka qenë deputeti i opozitës së re Halit Valteri, i cili ka hedhur akuza në drejtim të maxhorancës por edhe opozitës jashtë parlamentare duke thënë se gjatë këtyre viteve nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë nxirë Shqipërinë dhe se integrimi nuk ka qenë kurrë prioritet i tyre.
“Disa na shajnë dhe disa na përqeshin dhe të paktë janë ata që i vjen keq për të mjerën Shqipëri. Jemi në luftë kush e kush ta nxijë më shumë Shqipërinë. Në këtë parlament integrimi nuk ka qenë kurrë prioritet. Në listë kryesojnë disa persona që shtojnë sofrën me gjellë pasanikësh. Kjo tufë edhe derrin e bën të skuqet për sojin e tij. Është për të ardhur keq kur sheh se Europa është akoma skeptike. Janë kriminelë që i thërrasin zotëri. Hajdutët që bërtasin kapeni hajdutin. I duhet thënë jo shitblerjes së votës, jo presionit për të votuar dhe përralla të tjera si këto”, u shpreh Valteri.
Ndërsa deputetja socialiste Mimi Kodhelu u bëri thirrje palëve politike që të mos të fusin shkopinj nën rrota për të penguar rrugën e Shqipërisë drejt BE.
“Kuvendi i ka të gjitha mekanizmat për zbatimin e kushteve të vendosura për çeljen e negociatave. Le t’i japim një shans shpresës sonë europiane duke punuar bashkë dhe pa shkopinj nën rrota. Duhet bashkëpunim që Shqipëria të marrë PO për çeljen e negociatave sepse shqiptarët e meritojnë”, u shpreh Kodheli.
Bashkë hartuesja e projekt rezolutës, Senida Mesi tha në fjalën e saj se ky dokument duhet vlerësuar për faktin se është shpehje e vullnetit të përbashkët të opozitës parlamentare dhe maxhorancës.
“Sot politika duhet të ketë njerëz me integritet që kanë përsipër këtë detyrë të shenjtë për të dhënë dhe jo për të marrë. Vijmë se bashku si mazhorancë dhe opozitë parlamentare me një projekt rezolutë që përcakton rrugëtimin që kemi bërë deri tani dhe sfidat që na presin. Duhet të përfundojmë reformat e ndërmarra duke bërë të mundur rezultate konkrete. Në kuadër të kësaj perspektive, projekt-rezoluta i drejtohet edhe vendeve të BE që në përputhje me rekomandimin e KE të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për Shqipërinë”, u shpreh Mesi.
Në përfundim të diskutimeve pritet që deputetët të miratojnë pro projekt rezolutës për çeljen e negociatave e cila parashikon angazhimin e palëve politike për dialog për nxitjen e reformave dhe përmbushjen e kushteve për integrimin e Shqipërisë në BE./realstory.al