Policia e Elbasanit arrestoi drejtuesin e mjetit trajler, që gjatë paradites të së enjtes në 3 shtator, shkaktoi aksident në Qafë Thanë. Sipas Policisë, në pranga është vënë shtetasi me inicialet A.H., 42 vjeç., banues në Fier.
Ky shtetas, rezultoi se ishte drejtuesi i trajlerit që përplasi një furgon pasagjerësh në Qafë Thanë të enjten, për pasojë humbi jetën një shtetase e moshuar me inicialet R.H., ndërsa mbetën të plagosur dy persona.
Gjithashtu, në prangat e Policisë së Elbasanit është vënë dhe një 41-vjeçar, banues në Prrenjas. Ky shtetas, në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një trajler. Për pasojë, sipas Policisë, është dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në pranga është vënë dhe shtetasi me inicialet G.K., 38 vjeç, banues në Elbasan, pasi në fshatin ” Bradashesh”, Elbasan, i ofroi ryshfet punonjësit të policisë rrugore, me qëllim për mos u shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan për veprimet e mëtejshme në lidhje me ngarkesen që kishte në mjet.