Padia e çmendur kundër Bjarke Engels

AKTUALITET


Partia Demokratike i është kthyer çështjes së Teatrit Kombëtar dhe ka dërguar për ndjekje penale arkitektin danez Bjarke Ingels të cilin e akuzon “për përfshirje të paligjshme në projektin korruptiv të grabitjes së tokës publike tek teatri Kombëtar për ndërtimin atje të kullave private”.  PD ka renditur 3 akuza në padinë që ka depozituar në prokurori kundër arkitektit danez duke e akuzuar atë për “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”; “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”; dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas PD-së arkitekti danez ka bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun Erion Veliaj për një projekt të pabazuar në asnjë ligj.


Sipas PD-së, arkitekti Bjarke Ingels, ka konsumuar veprën penale të parashikuar në nenin 164/b “Korrupsion pasiv në sektorin privat”, vepër e cila dënohet me burgim nga 6 muaj në 5 vjet.

“Qartësisht shtetasi z. Bjarke Ingels ka qenë në dijeni të faktit se jemi përpara një oferte të parregullt, dhe me dashje ka pranuar realizimin e saj,”- shkruhet në padinë e depozituar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

“Në 13 Mars 2018, në shkelje të çdo ligji vendas dhe ndërkombëtar, pa garë, pa procedurë, pa tender, kryeministri Edi Rama shpall fitues projektin e Bjarke Ingels, i porositur prej tij dhe prej Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që në 2016-ën, duke paracaktuar edhe ndërtimin e kullave nga Fusha shpk, që ka marrë përsipër pagesën e projektit të Bjarke Ingels”, shkruhet në padinë e PD-së.

Për këtë padi, Partia Demokratike ka njoftuar edhe Ministrinë e Drejtësisë së Danimarkës, duke qenë se studio arikitekturore e Bjarke Ingels, “BIG-BJARKE INGELS GROUP”, ka qendrën ne Kopenhagen të Danimarkës.

Për Teatrin Kombëtar, vetë presidenti Ilir Meta duke u bashkuar me nismën e opozitës e cila është kundër shembjes së tij ka depozituar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Pra do të jetë kjo gjykatë që pasi të bëhet funksionale do të vlerësojë nëse duhet shembur ose jo Teatri Kombëtar./realstory.al




Skip to toolbar