Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama dhe të zëvendëskryeministrit Erion Braçe, të cilët akuzojnë prokurorin e Prokurorisë së Durrësit, Arian Ndoja se mbështet një grup kriminal. KLP shprehet se deklaratat e ardhura nga përfaqësuesit e qeverisë mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore”, deklaroi KLP.
Po ashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka kërkuar si nga qeveria ashtu dhe nga çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të vettingut.
Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë. “Mënyra më e mirë për të arritur tek e vërteta është respektimi i procedurave dhe i institucioneve të ngarkuara nga ligji me dhënien e drejtësisë”, tha në përfundim KLP.
Më herët, mediat raportuan se duke marrë shkas nga akuzat publike të kreut të mazhroancës, Rama, ka nisur verifikimi për prokurorin Ndoja.