Zgjedhjet në Kosovë, BE i kujton detyrat

KOSOVA


BE e ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë, duke e cilësuar 6 tetorin si një ditë të mirë për demokracinë, por pa humbur kohë i ka kujtuar detyrat parësore forcës fituese.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic në reagimin e saj fillestar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në Kosovë, theksoi se ishte shumë pozitiv fakti, se në këto zgjedhje, votuan më shumë qytetarë se në ato të mëparshmet në vitin 2017.


Kocijancic potencoi se qeverinë e re të Kosovës po e presin detyra të rëndësishme, duke përmendur zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit dhe angazhimin për rifillimin e dialogut me Beogradin.

“Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe tërë rajonit. BE-ja do të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe do të promovojë pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor”, tha Kocijancic.

Bashkimi Evropian dërgoi një mision monitorimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë, më 6 tetor. Misioni do të paraqesë një vlerësim paraprak më 8 tetor dhe do të publikojë një raport përfundimtar në muajt e ardhshëm. REL




Skip to toolbar