Selahi: Më donte Belgjika, por jam 100% shqiptar

SPORT


Edy Reja vijon revolucionin në ekipin kombëtar. Një nga emrat e thirrur rishtaz në përfaqësuese, është 20-vjeçari Lindon Selahi, i cili luan në Holandë me Twente. Qendërmesfushori foli në konferencë për shtyp të hënën, duke rrëfyer emocionet e grumbullimit në kombëtare. Talenti u shpreh se veç Shqipërisë, ftesë i shkoi edhe nga Belgjika, por zgjodhi me zemër.

“Mendoj se e kam merituar këtë ftesë. Që i vogël ka qenë dëshira ime që të luaj në Kombëtare. Jam më i vogël por shpresoj që të luaj, trajneri vendos në fund dhe mendoj se jam gati. I njoh disa nga futbollistët, pasi kemi luajtur tek U-21. Kur kam qenë i ri kam luajtur me Belgjikën sepse nuk më ka ftuar Shqipëria, por tani që më thirri Shqipëria e vendosa. Edhe tani më ka kërkuar Belgjika, por kur e ndjen veten shqiptar, shkon 100% te Shqipëria. Ka pasur momente që nuk kanë qenë mirë por tani jemi mirë”, tha mesfushori.


Më tej ai foli për dy takimet e radhës, atë kundër Turqisë dhe Moldavisë, duke u shprehur se kombëtarja i ka shanset për të fituar. “Mendoj se kemi shans për të kaluar, dhe në Turqi e Moldavi shkojmë për të fituar dhe për të luajtur mirë. Mund të luaj kudo në mesfushë por mund të luaj më mirë si numër 8. Nuk e kam problem edhe si “6” apo “10”. Për momentin jam në sezonin parë te Twente por jam mirë. Nuk po shoh lart por jam mirë. Ëndrra ime është të luaj sa më shumë minuta dhe të luaj me Kombëtaren. Ëndrra është të kualifikohemi dhe të fitojmë në Kupat e Europës”, tha Selahi.




Skip to toolbar