Zgjedhorja, BE: Test, presim dialog konstruktiv

AKTUALITET


Bashkimi Europian e cilëson realizimin e Reformës Zgjedhore një test për Shqipërinë dhe apelon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve politikë në miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Konçijançiç është shprehur se kjo reformë dhe zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR janë një test i rëndësishëm për vendin. Ndërsa ka theksuar se është mjaft e rëndësishme kontributi dhe gjithëpërfshirja në këtë reformë e të gjithë aktorëve politikë në vend.

“Reforma zgjedhore dhe zbatimi i rekomandimeve të qarta të OSBE-ODIHR-it janë një test i rëndësishëm për  Shqipërinë.

I takon Shqipërisë të përcaktojë se cila strukturë duhet të përdoret për të lehtësuar konsultimin dhe për ta çuar më tej këtë reformë.

BE rithekson nevojën që të gjithë aktorët politikë të demonstrojnë gatishmëri të vërtetë për të kontribuar, përmes dialogut konstruktiv, dhe për të bërë progres me reformën zgjedhore”, është shprehur për ATSH-në, zëdhënësja e Bashkimit Europian.

Drejtuesit e partive politike në Shqipëri në parim janë shprehur dakord për realizimin e reformës zgjedhore, por ende vijojnë të kenë mosmarrëveshje për mënyrën e realizimit të saj. PD dhe aleatët e koalicionit opozitar i kanë paraqitur Ramës një platformë me 5 kushte, ku thelbësor mbetet propozimi që reforma të mos realizohet në parlament, por të realizohet jashtë tij, nga një strukturë e posaçme me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve. Kryeministri është shprehur se “nuk pranon përkthyes për të folur shqip”, ndërsa është shprehur i gatshëm se do të bashkëpunojë me opozitën për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it. Edhe opozita parlamentare ka dalë kundër propozimit të PD-së, të cilin e ka quajtur një kërkesë për pazar me PS-në. Nuk dihet ende sesi do të vijojnë bisedimet për reformën zgjedhore, tryeza e parë e së cilës u iniciua nga OSBE./realstory.al



Skip to toolbar