Kosova dhe Mali i Zi, Rama: Askush nuk është i përjashtuar

AKTUALITET


Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina nuk janë të përjashtuar nga “Shengeni” Ballkanik, madje sipas Ramës ata janë të mirëpritur në takimin e radhës. Kryeministri shqiptar ka komentuar në Serbi kritikat për këtë nismë, duke u bërë apel shteteve të  tjera që të lënë pas të shkuarën.

“Nuk janë absolutisht as të përjashtuar dhe as të vendosur në një korsi tjetër. Janë të mirëpritur qysh në takimin tjetër që të na bashkohen dhe ne jemi në dispozicion. Kam dëgjuar shumë kritika të cilat nuk sjellin alternativa, por nisen nga ‘status quo’-ja dhe nga e shkuara”, tha Rama.

Kryeministri Rama gjithashtu ka shpjeguar se kjo nismë synon zhvillimin ekonomik të rajonit të Ballkanit.

“Kemi angazhuar një grup me ekspertë të vendeve tona, edhe me një ekspertizë ndërkombëtare. Në takimin e Ohrit do të jemi në gjendje të tregojmë më konkretisht se çfarë të mirash ka ky proces. Nuk ka asgjë në këtë proces që është e panjohur dhe e pa miratuar nga të gjithë vendet e rajonit gjatë Procesit të Berlinit. Ka vetëm një gjë të re vullneti për të shtyrë përpara atë që kemi parë në letër. Nuk do presim që ta bëjnë të tjerët për ne dhe nuk do të presim dakordësinë e të tjerëve. Ne nuk mund të marrim investime të mëdha të huaja sepse jemi shumë të vegjël dhe shumë të mbyllur. 2021 është objektivi ynë për të garantuar që ky rajon të jetë i hapur. Edhe ky proces do të lehtësojë zgjidhjen e çështjeve të hapura”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Pas takimit të 10 nëntorit në Ohër, do të jetë Shqipëria vendi i radhës ku do të mblidhen liderët e tre vendeve.



Skip to toolbar