Pas arrestimit të disa protestuesve të Unazës së Re, Partia Demokratike ka depozituar padi kundër policisë në prokurori dhe e akuzon atë për ushtrim dhune ndaj protestuesve. Policia e Tiranës ka vënë në pranga 6 banorë të Unazës së Re të cilët akuzohen për bllokimin e rrugës dhe mos lejimin e qarkullimit të automjeteve, ndërsa gjatë protestës banorët e Unazës sulmuan policinë dhe thyen derën e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Por PD në padinë e saj thotë se policia ka dhunuar protestuesit.
PD ka paditur konkretisht Drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë, Shefin e Komisariatit të Policisë së Shtetit nr. 6, dhe Punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë hetimin ndaj Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Shefit të Komisariatit të Policisë së Shtetit nr. 6, Tiranë, Punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë angazhuar në aksionin policor të dhunimit flagrant të protestuesve, ndonëse këta të fundit kishin kërkuar leje për tubim paqësor urgjent kundër projektit korruptiv të “Unazës së Re””, njofton PD.
Në padi kërkohet pezullimi i ushtrimit të detyrës publike të përfaqësuesve të lartpërmendur të policisë.
Akuzat në padinë që Partia Demokratike ka depozituar në prokurori janë: “Shpërdorim i detyrës”, “Kryerje e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrje e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”.
Partia Demokratike në kallzimin e saj thotë se policia ka arrestuar ka arrestuar banorë të Unazës së Re por dhe punonjës të medias, duke fshirë çdo filmim të kryer nga punonjës të PD.
“Banorët e Unazës së Re kanë zhvilluar protestën e tyre paqësore dhe pa asnjë akt dhune. Në përfundim të protestës, një numër i konsiderueshëm punonjësish policia, disa prej tyre të paidentifikuar dhe të veshur civil, kanë filluar një aksion të paligjshëm policor, duke shoqëruar dhe më pas arrestuar me dhjetra qytetarë. Disa prej qytetarëve që i është hequr liria, rezulton se kanë qenë thjeshtë kalimtar në zonën ku ishte zhvilluar protesta. Disa të tjerë kanë qenë pjesëmarrë në atë proteste. Qytetarët pa asnjë shkak janë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit nr. 6 Tiranë dhe në Drejtorinë e Qarkut Tiranë”, thuhet në kallzim.
Në padinë e PD theksohet se liria e tubimit paqësor dhe pa armë është e garantuar, për rrjedhojë organet e pushtetit publik jo vetëm që duhet të respektojnë këtë liri por kanë dhe detyrimin për të kontribuar në realizimin e saj.
“E drejta kushtetuese për të tubuar, në një shtet demokratik, merr një rëndësi të veçantë. E drejta për t’u tubuar lirisht dhe pa ndonjë leje të veçantë me të tjerë, ka qenë gjithnjë e vlefshme si shenjë e lirisë, pavarësisë dhe fjalës së lirë të qytetarit të përgjegjshëm. Garantimi i lirisë për aktivitetet politike në të njëjtën kohë edhe një vendim, i cili shtrihet përtej mbrojtjes së shpalosjes së personalitetit nga ndërhyrjet shtetërore. Kushtetuta garanton si të drejtë mbrojtëse, për mbartësit e së drejtës, e cila u shërben mbi të gjitha pakicave që mendojnë ndryshe të drejtën për të vendosur vetë për vendin, orën, llojin dhe tematikën e tubimit dhe, në të njëjtën kohë, ndalon forcën e shtetit për të marrë pjesë apo për t’i ndenjur larg një tubimi”, thuhet në padinë e depozituar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Për më shumë se një vit banorët e Astirit në Tiranë kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve në zonën e Unazës së re duke shkatuar orë të tëra qëndrimi në trafik dhe stres për shoferët dhe banorët e Tiranës që u duhet të kalojnë në atë rrugë. Pas 1 viti parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin penal që parashikojnë arrestimin dhe dënimin deri në 3 vite burg të protestuesve të paligjshëm që bllokojnë rrugët. Kjo masë u mor pikërisht për të parandaluar të tilla protesta që paralizojnë jetën normale të qytetit dhe ndikojnë negativisht te shumica e qytetarëve që vuajnë pasojat.