Shtetet e Bashkuara po tërheqin të gjitha trupat e mbetura nga Siria veriore, pasi Presidenti Donald Trump tha të dielën se ishte një veprim “shumë i zgjuar … ndryshe nga e kaluara” për të mos u përfshirë në luftimet e nisura nga sulmi i Turqisë kundër aleatëve për një kohë të gjatë të Amerikës, luftëtarëve kurdë.
Presidenti Trump tha se ishte duke punuar me drejtuesit e Kongresit, përfshirë demokratët e opozitës, për të vendosur sanksione ekonomike “të fuqishme” kundër Turqisë për sulmet e saj ndërkufitare, edhe pse Ankaraja ka shprehur paraprakisht kundërshtime. Ai tha në Twitter se ka “konsensus të madh” për të vepruar kundër Turqisë, një anëtar i NATO-s përkrah Shteteve të Bashkuara.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha për kanalin Fox News të dielën se presidenti Trump urdhëroi të shtunën në mbrëmje “tërheqjen e qëllimshme” të 1000 trupave të mbetura amerikane nga veriu i Sirisë. Zoti Esper tha se zyrtarët amerikanë, kishin frikë se trupat amerikane do të goditeshin në përparimin e Turqisë kundër luftëtarëve kurdë, të cilët Turqia i sheh si terroristë, por që shumica e Perëndimit i shikon si partnerë kryesorë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Esper hodhi poshtë polemikën nga kritikët në Kongres, përfshirë kolegët republikanë të Trump-it, se Shtetet e Bashkuara kanë braktisur kurdët. “Ne e kundërshtuam Turqinë të mos e bënte këtë operacion,” tha zoti Esper. Por ai tha se Turqia ishte “plotësisht e angazhuar për ta bërë këtë pa marrë parasysh se çfarë do të bënim ne.” Megjithatë, shtoi sekretari Esper, “Ne po bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë Turqinë të ndalë këtë sjellje skandaloze”.
Ai pranoi se luftëtarët kurdë dhe civilët po vriten në sulmet turke. “Është e tmerrshme,” tha ai. “Situata përkeqësohet për çdo orë.” “Kjo është pjesë e situatës së tmerrshme ku na ka futur Turqia”, tha shefi i Pentagonit. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara “nuk janë gati për të luftuar Turqinë, një aleat i vjetër, në emër të kurdëve”. Ai tha se konflikti turko-kurd “është 200 vjeçar”.
Megjithatë, sekretari Esper dënoi inkursionin e Turqisë dhe vendimet e tjera, përfshirë blerjen e një sistemi mbrojtës raketor rus kundër dëshirave të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. “Sjellja e tyre gjatë viteve të fundit ka qenë e tmerrshme,” tha sekretari Esper, duke shtuar se Turqia “po dilte nga orbita jonë”.
Një kritik i presidentit Trump, senatori demokrat Chris Van Hollen, tha në të njëjtin emision të Fox News: “Njerëzit po vriten tani”. Ai tha se administrata Trump ” tani duket qesharake. Ata nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po flasin”. Por presidenti Trump tha se kritikët që kanë kundërshtuar tërheqjen e trupave të tij nga Siria veriore po nxisin “luftëra të pafundme” për Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme.
“Ata që gabimisht na futën në Luftërat e Lindjes së Mesme ende po bëjnë presion për të luftuar”, tha presidenti Trump në Tweeter. “Ata nuk e kanë idenë se çfarë vendimi të keq kanë marrë. Pse nuk kërkojnë një Deklaratë të Luftës?
Zyrtarët kurdë sirianë ndërkohë thonë se qindra mbështetës të dyshuar të Shtetit Islamik dhe familjarë kanë shpëtuar nga një kamp në veri të Sirisë, ndërsa Turqia vazhdon operacionin e saj ushtarak në zonë.
Jelal Ayaf, zyrtar i kampit Ayn Issa, vlerësoi se 850 të huaj të lidhur me ISIS-in shpëtuan dhe kishin ndihmë nga celulat e fjetura që depërtuan në një pjesë të kampit. Pjesëtarët dhe përkrahësit e familjeve të shpëtuara të ISIS-it mendohet se janë nga Britania, Irlanda, Rusia, Pakistani, Bangladeshi dhe Indonezia.
Turqia nisi operacionin e saj të planifikuar ushtarak të mërkurën e kaluar që synon të largojë forcat kurde në veri të Sirisë që i sheh si terroristë, por që shumica e Perëndimit i shikon si partnerë kryesorë në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Operacioni ushtarak filloi disa ditë pas një njoftimi të befasishëm dhe që u kritikua gjerësisht se forcat amerikane do të tërhiqeshin nga rajoni./VOA/