“Kishin thika dhe pistoletë, gruan e goditën në kokë”. Flet i moshuari i grabitur

AKTUALITET


I moshuari i grabitur mbrëmjen e së hënës në Korçë, Foni Rrapo ka dhënë detaje të mëtejshme rreth ngjarjes ndërsa thotë se dy grabitësit e maskuar ishin të pajisur me thika dhe me pistoleta, ndërsa gruan e tij e kanë goditur me shishe në kokë. Ajo ndodhet e shtruar në spital. Rrapo thotë se grabitësit për të humbur gjurmët flisnin si me dialekt nga Elbasani dhe disa herë e kanë përmenduar sikur janë nga ky qytet.

“Ishim duke ngrënë bukë. Ishte ora 8 pa 10. Dy persona me maskë, armë dhe thikë u futën menjëherë brenda nga dera e banesës ngjitur. Ishin me armë, pistoletë, kishin dhe një thikë. Na kërcënuan dhe goditën, kërkonin lek, më morën pensionin dhe kursimet.

Mua më goditën me qytën e pistoletës në kokë ndërsa gruan Afërdita në krahë dhe këmbë. Ime shoqe është në spital. E goditën shumë me shishe dhe mua më goditën. Gjatë gjithë kohës bërtisnin lekët, lekët. Në fund iu thashë merri lekët e pensionit. Thoshin të tjerat. Në fund iu thashë merri lekët e rezervës. Këto kisha unë. Afro 1 milion mund të ishin. Mua më lidhën dorën se unë desha që të dilja, mirëpo dera ishte e mbyllur dhe më zunë atje. Ata do kenë hyrë nga shtëpia këtej, ngjitur. Nuk kemi ndjerë asgjë kur hynë. Ishin të maskuar komplet. Vetëm leka, leka.

I thashë është një unazë në sirtar, merreni i thashë. Thoshin që kemi ardhur nga Elbasani, e përdorën pak dialektin por jo tamam. Ndoshta për të humbur gjurmët. Mos lajmëro më tha mua”, tregon i moshuari për news 24.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës rreth orës 20:00, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorëve.



Skip to toolbar