Shpërndahen lekë false në Lezhë, kapet durrsaku

AKTUALITET


Policia e Lezhës është vënë në alarm, pasi persona të ndryshëm po shpërndajnë lekë false në biznese të ndryshme. Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në një pikë karburanti në Kallmet. Sipas policisë, një drejtues mjeti ka furnizuar me 5 mijë lekë të reja karburant makinën e tij. Pasi i ka dhënë lekët punonjësit të karburantit, shoferi është larguar, ndërsa punonjësi ka vënë re sa paratë ishin false.

Menjëherë, ai ka njoftuar policinë e Lezhës, e cila këto ditë ka marrë edhe sinjalizime të tjera për lekë false. Pas denoncimit, nëpërmjet targës së makinës, policia ka mundur të identifikojë të dyshuarin, i cili rezultonte banues në Durrës. Në bashkëpunim, policia ka organizuar një aksion duke vënë në pranga të dyshuarin H. T., 52 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit i janë gjetur edhe 33 mijë lekë të reja, të dyshuara të falsifikuara. Paratë false ishin të ndara kartëmonedha 4 pesë mijëshe, 5 dy mijëshe dhe 3 njëmijëshe. I dyshuari i arrestuar ka pretenduar se nuk e dinte sesi i kishin rënë në dorë këto para false, por kjo nuk e ka shpëtuar nga arrestimi.



Skip to toolbar