Një valë e re shpërthimesh, këtë herë tek radiot e dorës që përdorin anëtarët e grupit Hezbollah në Liban për të komunikuar me njeri tjetrin, ka shkaktuar të paktën 20 të vrarë dhe 450 të plagosur të mërkurën. Grupi militant fajësoi Izraelin për sulmet e së martës dhe mërkurës. Izraeli nuk ka komentuar megjithëse ekspertët në Lindjen e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara thonë se shpërthimet e së martës, të pajisjeve të komunikimit ‘pager’, ishte vepër e agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad.
Burimet thanë se radiot e dorës ishin blerë nga Hezbollahu pesë muaj më parë, pothuajse në të njëjtën kohë që u blenë pajisjet ‘pager’. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, nga Jeruzalemi, Hezbollahu është zotuar të hakmerret për sulmet tejet të sofistikuara me pajisjet e komunikimit.
Megjithëse Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e pajisjeve të komunikimit me mesazhe ‘pager’ të martën, mendohet gjerësisht se operacioni është kryer nga organet izraelite të zbulimit. Ekspertë izraelitë të sigurisë thonë se në pajisjet e komunikimit ishin vendosur lëndë shpërthyese para se ato t’i merrnin anëtarët e Hezbollahut.
“Për të siguruar dëmtime të kësaj shkalle nevojiten deri dy gramë eksploziv, çka nuk përbën problem teknologjik. Thjesht, duhet ta hapësh pajisjen dhe të vendosësh kartën e komunikimit dhe një lloj eksplozivi që funksionon me telekomandë. Mesazhi dërgohet nga një antenë komunikimi dhe përhapet në të gjitha pajisjet”, thotë Eyal Pinko, ish punonjës i agjencive izraelite të zbulimit.
Hezbollahu i porositi pajisjet nga kompania tajvaneze “Gold Apollo”. Një drejtues i saj tha se pajisjet ‘pager’ ishin prodhuar në fakt nga firma hungareze “BAC”.
Ish agjenti izraelit, Eyal Pinko, thotë se kërkohet shumë kohë për planifikimin e operacioneve të tilla.
“Ishte një operacion zbulimi i planifikuar shumë mirë për më shumë se një vit e gjysmë”.
Izraeli po përgatitet përballë kërcënimeve të Hezbollahut për hakmarrje, ndërsa disa kompani kanë anuluar fluturimet. Sidoqoftë, në Izrael nuk ka shenja paniku, ndërsa shkollat dhe institucionet vazhdojnë punën rregullisht.
Analistët izraelitë thonë se një konflikt i drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Hezbollahut mund të shndërrohet në një luftë rajonale, çka do të detyronte Izraelin të kërkonte ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Orna Mizrahi është hulumtuese në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.
“Mund të përballemi me sulme nga Iraku, nga grupi Huthi, madje edhe me sulme të drejtpërdrejta nga Irani, dhe ndoshta edhe nga Siria. Kjo do të shkaktonte një konflikt në shkallë të gjerë dhe ne kemi nevojë për ndihmën amerikane”.
Zyrtarët amerikanë thanë se nuk kishin dijeni paraprake për operacionin e supozuar izraelit dhe se po përpiqen të gjejnë një rrugëdalje diplomatike nga konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Izraeli thotë se dëshiron kthimin në shtëpitë e tyre të 60 mijë banorëve të evakuuar nga zonat përgjatë kufirit me Libanin./voa