Sekreti që mund të “djegë” kandidatin për Kushtetuese

AKTUALITET


Një dokument sekret nga DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar), mund të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë prokurorin Besnik Muçi, i cili njëkohësisht është kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese gjatë rishqyrtimit të çështjes së tij në Komisionin e Posaçëm të Apelimit. Ky dokument sekret nuk u shqyrtua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërkohë që me ankimin e bërë ndaj Muçit nga Komisioneri Publik, ai mund të shqyrtohet nga KPA, pikërisht në seancën e së mërkurës. Një tjetër problem për Muçin mbetet edhe mosjustifikimi i pasurisë që mund t’i japë goditjen për nxjerrjen e tij nga sistemi i drejtësisë, ndërkohë që njëkohësisht ul edhe mundësitë për krijimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese.

Sa i përket prokurorit Muçi, Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 1 tetor seancën gjyqësore për ankimin e paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit të KPK, që konfirmoi në detyrë prokurorin. Komisioneri kishte kërkuar marrjen si provë të një dokumenti sekret të përcjellë nga DSIK dhe trupi gjykues në KPA, me shumicë votash, vendosi të pranojë kërkesën për marrjen si provë të informacionit të përcjellë nga DSIK si dhe vendosi t’ia përcjellë këtë dokument subjektit të rivlerësimit, pasi të kenë përfunduar procedurat e deklasifikimit të tij. Trupi gjykues vendosi t’i kërkojë DSIK që në një kohë sa më të arsyeshme, brenda limitit kohor prej 15 ditësh të përcaktuar me ligj, të kryejë deklasifikimin e dokumentit të konsideruar “sekret”. Në pritje të përgjigjes së organit kompetent, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 16 tetor.

Po ashtu, gjatë parashtrimit mbi vlerën provuese të provave të depozituara nga subjekti i rivlerësimit në seancën paraardhëse, Komisioneri Publik deklaroi se as me këto akte të reja, subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë së tij dhe të personave të lidhur me të. Subjekti i rivlerësimit kërkoi marrjen si provë të dy dokumenteve të reja bankare në funksion të shqyrtimit të çështjes, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.

Komisioneri Sina përsëriti në fillim të seancës të enjten argumentet e ankimit të konfirmimit në detyrë të Besnik Muçit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, të cilat lidhen me kriterin e pasurisë. Sipas tij, prokurori Muçi nuk ka paraqitur prova për justifikimin e kursimeve në vlerën e 200 mijë lekëve si dhe për katër hua në vlera të ndryshme të marra nga familjarët ndër vite me qëllim financimin e blerjes së dy apartamenteve në pronë të tij. Komisioneri Sina deklaroi në seancë se Muçi ka blerë një apartament 57 m2 në vitin 2006 në Tiranë në vlerën e 1.9 milionë lekëve, përmes një huaje prej 500 mijë lekësh marrë nga babai me burim të ardhurat e vëllait në emigracion, një hua prej 6 mijë eurosh nga motra dhe bashkëshorti i saj në Mbretërinë e Bashkuar dhe një hua 3 mijë euro nga xhaxhai. Në hua e dytë prej 15 mijë eurosh marrë në vitin 2016 nga vëllai i bashkëshortes është gjithashtu objekt i ankimimit, ndërkohë që vlera ka shërbyer për blerjen e një apartamenti me vlerë 75 mijë euro në Tiranë.

Komisioneri Publik nuk sqaroi në seancë përmbajtjen e raportit të DSIK. “Prokurori Besnik Muçi dhe personat e lidhur me të nuk arrijnë të justifikojnë bindshëm burimin e ligjshëm të të ardhurave dhe pasurive të deklaruara; se ai ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara,” tha Sina, duke përsëritur kërkesën për shkarkimin e subjektit. Sipas tij, ky dokument kishte mbërritur pasi KPK i kishte kërkuar DSIK-së që të informonte nëse prokurori Besnik Muçi kishte pasur lidhje me katër persona. Komisioneri shpjegoi se në përgjigjen e DSIK-së thuhej se Muçi kishte lidhje me dy prej katër personave në fjalë dhe se njëri prej të cilëve ishte administrator i njërës prej banesave që kishte blerë.

Tashmë ky dokument mund të rëndojë pozitën e Muçit, i cili është në listën e miratuar nga KED për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Nxjerrja e tij jashtë sistemit të drejtësitë ul numrin e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese, si për listën e Presidentit ashtu edhe për Kuvendin, ku për katër vende janë gjithsej 6 kandidatë që kanë kaluar në sitën e KED. / Realstory.al



Skip to toolbar