Opozita e bashkuar duket se ende nuk ka një datë të qartë për protestat. Edhe pse deklarojnë se protesta do të ketë, ende nuk kanë vendosur se kur do të nisin ato. Ka qenë Monika Kryemadhi, e cila bëri të qartë se opozita e bashkuar ka arritur në një vendim unanim se protesta do të ketë, por aktualisht pjesë parësore e axhendës së saj janë 9 pikat e vendosura nga Bundestagu gjerman. Ky vendim u arrit gjatë takimit të kreut të PD-së, Lulzim Basha me aleatët pasditen e të hënës.
Kryemadhi tha se Rama është fajtori i vetëm që vendi nuk mori vendimin për hapjen e negociatave dhe se tashmë qëllim kryesor i opozitës do jetë integrimi i vendit. Sipas Kryemadhit kjo do të arrihet me zgjedhje të lira dhe për këtë duhet bërë reforma zgjedhore.
“Vendimi i BE ishte tepër zhgënjyes për shqiptarët dhe partnerët tanë strategjikë. Nëntë kushtet e Bundestagut janë agjenda më e qartë dhe më e kthjellët për klasën politike shqiptare. Shkaktar i kësaj situate është kryeministri Rama, që duhet vendosur para përgjegjësisë. Kushtet e Bundestagut janë të qarta. Maqedonia e Veriut u ndëshkua për shkak të mos-ecjes së Shqipërisë në reforma. BE ka thënë se në Shqipëri ka krizë politike. Nuk ka integrim pa zgjedhje të lira. Ne si opozitë jemi tepër të qartë se e ardhmja e Shqipërisë janë BE dhe SHBA. Çdo tentativë për të kërcënuar partnerët janë politika të dështuara. Shqiptarët janë ata që duhet të vendosin. Duhet bërë reforma zgjedhore dhe të zgjidhet kriza politike, Fronti Opozitar dëshiron të zgjidhet kriza politike. Protesta do ketë, ato nuk janë me axhendë por me organizim. Në axhendë kemi integrimin e vendit në BE. Protesta do të ketë nga më të ndryshmet. Ka një zgjidhje, që të largohet Edi Rama.” tha Kryemadhi
Opozita e bashkuar deklaroi më herët se protestat do të rinisnin pas dhënies së vendimit për negociatat më 18 tetor, me arsyetimin e është duke lobuar në mënyrë që Shqipëria të merrte negociata. Negociatat nuk u hapën më 18 tetor, por duket se edhe opozita nuk ka ende një mënyrë të qartë apo datë fikse se kur do i rikthehet protestave. Tashmë opozita është i ka kthyer sytë nga diskutimi i reformës zgjedhore sipas kushteve të vendosura prej saj në platformën me 5 pika që ka bërë publike.