Negociatat, beteja e Bashës për të rinisur protestat

POLITIKË


Mos hapja e negociatave nga BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kthyer në kalin e betejës së radhës së opozitës ndaj mazhorancës, ku ende pa dalë vendimi për mos marrjen e një vendimi, kreu i opozitës Lulzim Basha ka nisur sulmet ndaj qeverisë Rama duke kërkuar dorëheqjen e tij. Ndërsa kreu i mazhorancës, në mbrojtje të qeverisë, nuk është kursyer ndaj akuzave për opozitën, duke deklaruar se ajo ka punuar kundër hapjes së negociatave. Ndërsa sot për të forcuar zërin opozitar, Basha pritet të mbledhë edhe aleatët, që deri tani nuk duket se e kanë përkrahur për akuzat e tij ndaj mazhorancës për negociatat.

Akuzat dhe kundër akuzat mes Ramës dhe Bashës janë kthyer të përditshme që nga dita që Shqipërisë nuk iu hapën negociatat, ndërsa të hënën ato janë intensifikuar, duke dalë nga dy herë në ditë. Rama doli që paradite, kur duke deklaruar se ai do komunikojë me Macron për vijimin e procesit të integrimit, i ktheu përgjigje edhe kërkesës së Bashës për të lënë pushtetin duke dhënë dorëheqjen njëlloj si Zaev. Rama theksoi se opozita nuk la gur pa lëvizur për të penguar negociatat. Por sërish Basha ka dalë në një tjetër deklaratë, duke i cilësuar deklaratat e kryeministrit, shfajësime personale. “Fakti është, Europa të ka refuzuar. Ti ke dështuar”, tha Basha. Ndërsa Rama Eshtë kundërpërgjigjur me një mënyrë të re, duke publikuar dy foto me deklaratat e BE për negociatat, duke theksuar kontrastin mes atyre që thotë BE dhe atyre që thotë opozita. Fillimisht, Rama ka hedhur një deklaratë të Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, ku shprehet se “Nuk pati unanimitet për negociatat, nuk është faji i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut” dhe në krah të saj një deklaratë të Bashës, ku shprehet se “Vendimi për të mos hapur negociatat është dështim i qeverisë shqiptare”. Të njëjtën metodikë, Rama ka përdorur edhe me deklaratën e kryeministrit italian, Conte, i cili ishte një zë i fortë për hapjen e negociatave me Shqipërinë.


Por, kreu i opozitës duket se ka gjetur kauzën për t’iu rikthyer protestave pas një pushimi 4-mujor, ku edhe me takimet që pati gjatë verës me të vetët, nuk arriti t’i bindte për mbështetje masive, edhe për shkak të kundërshtive për dështimin në realizmin e zgjedhjeve, pasi u kishte premtuar se nuk do të kishte zgjedhje, duke humbur kështu edhe bastionet e sigurta. Madje, këto protesta së fundmi kanë filluar të kërkohen dhe nga brenda PD, ku vetëm pasi Basha doli dy herë duke sulmuar Ramën për negociatat, Grida Duma kërkoi rikthimin te protestat.

Për këtë arsye duket se Basha ka kërkuar edhe një takim në orën 15 me aleatët e tij, të cilët deri tani, veç LSI, nuk kanë dalë në deklarata zyrtare për ta mbështetur kreun e opozitës në sulmet ndaj mazhorancës sa i përket negociatave. Kjo është mbledhja e parë e opozitës së bashkuar pas vendimit të Këshillit të Evropës për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Basha tentoi të bënte të njëjtën lëvizje edhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit, por ai nuk arriti të organizonte protesta të forta, dështim që u duk qartë nga shtyrja disa herë e afatit për t’u rikthyer në shesh, ndërsa së fundmi opozita doli me tezën se ka marrë vendim që të mos protestojë derisa të jepet vendimi për negociatat.




Skip to toolbar