Nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme kjo do të ishte goditje për reformën në drejtësi e cila aktualisht ndodhet në kulmin e saj pasi po ecet drejt ngritjes së institucioneve të reja. Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi i është përgjigjur pyetjes se përse qeveria nuk shkon në zgjedhje të parakohëshme pas vendimit për mos hapjen e negociatave, njëlloj siç bëri edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut. Por Hysi thekson se më e rëndësishme për vendin tonë është që të ecë në rrugën e reformave, në përmbushjen e kushteve të Bundestagut ku përfshihet realizimi edhe i reformës zgjedhore.
“Përgjigja që morëm nga BE nuk ishte ajo që prisnim. Ne vlerësimin tonë, ne kimi përmbushur detyrat e shtëpisë që na ishin lënë. Trysnia po bëhet nga opozita, të cilës i bëj thirrje që të ulemi së bashku dhe të përmbushim të gjitha ato reforma që janë të domosdoshme për Shqipërinë dhe të shohim më pas se si do të ecë familja europiane me rregullat e reja për zgjerimin.
Në Maqedoni, Zaev e kishte theksuar se në rast se nuk do të hapeshin negociatat do të jepte dorëheqjen. Në rastin tonë vazhdimi i punës për reformën në drejtësi është parësore. Ajo që ne kemi për detyrë është përmbyllja e reformës zgjedhore brenda muajit dhjetor. Të kërkosh zgjedhje të parakohshme në këtë moment kur nuk janë bërë ndryshimet në kodin zgjedhor e nga ana tjetër jemi në kulmin e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë, kjo do të thotë një hap mbrapa dhe një goditje tjetër ndaj reformës në drejtësi”, është shprehur Hysi për A2Cnn.
Deputetja socialistë është shprehur se përgjegjësinë për refuzimin e negociatave duhet ta ndajnë bashkë si qeveria ashtu dhe opozita për shkak se ajo ka ndjekur një politikë bllokuese prej shumë muajsh. “Detyrimet që ne duhet të përmbushim janë detyra shtëpie. Padyshim, përgjegjësinë e ka mazhoranca, por e ka edhe opozita. Nëse bëjmë një analizë se pse nuk janë ngritur në kohë Gjykata e Lartë apo ajo Kushtetuese ose pse nuk është ngritur SPAK në afatet e përcaktuara, askush nuk e kishte menduar se opozita do të ngrinte kaq shumë barriera për të cilën ishte shprehur se ishte dakord. Opozita që doli në rrugë nuk po bashkëpunon për reformën zgjedhore”, tha Vasilika Hysi.