Shqiptarët ngrenë Lazaratin spanjoll

AKTUALITET


Lufta ndaj kultivimit të drogës në Shqipëri ka detyruar trafikantët shqiptarë të zbulojnë toka të reja për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal. Pas mbylljes së Lazaratit, katër shqiptarë janë detyruar të shkojnë deri në Spanjë në kërkim të tokave të reja pjellore për kanabisin, ku kanë arritur që brenda një parku kombëtar të mbjellin, jo pak, por rreth 2 tonë kanabis, vlera e së cilës përllogaritet në 11.3 milionë euro.

Aktiviteti kriminal, që i ngjan skenarit të një filmi hollivudian është zbuluar nga policia spanjolle, e cila deklaroi se ka shkatërruar një rrjet të kultivimit të kanabisit, ku në pranga kanë rënë 4 shtetas shqiptarë. Kanabisi dhe kampet e trafikantëve ishin ngritur mes pyjeve të  “Sierra Cuenca”. Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar një sasi prej 2 tonë drogë, vlera e së cilës përllogaritet në 11.3 milionë euro.

Hetimet kundër trafikantëve të drogës nisën në tetor falë sinjalizimeve të banorëve vendas për praninë e të arrestuarve në komunën Huélamo (Cuenca). Sasia e bimëve të kanabisit që u konfiskua arrinin në 2060 kilogramë dhe u gjet në tre plantacione. Agjentët sekuestruan gjithashtu edhe 1600 euro në para të thata, një automjet, katër celularë dhe një peshore elektronike.

Të arrestuarit kishin krijuar një çadër kampingu, e cila u lejonte atyre të ruanin plantacionet dhe të kryenin procesin e tharjes 24 orë në ditë.

Parkun natyror i Sierra Cuenca është në një zonë pyjore me terren të vështirë, që mund të arrihet vetëm në këmbë. Ata kishin ndërtuar një kamp ku jetonin, duke u kushtuar gjithë kohën për të kultivuar dhe mirëmbajtur plantacionet e marijuanës. Shqiptarët, gjithashtu zhvilluan një sistem të sofistikuar të furnizimit me ujë përmes tubave nëntokësorë dhe pompave me kapacitet të madh, të gjitha këto të kamufluara me kujdes midis bimësisë. Kur agjentët identifikuan një nga anëtarët e grupit kriminal, i vendosën një pajisje përgjimi për ta ndjekur. Si rezultat i pajisjes, agjentët lokalizuan dhe ndaluan të gjithë anëtarët e saj.



Skip to toolbar