Astrit Patozi deklaron se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme është e vetmja rrugë për të nxjerrë vendin nga kriza, por më parë duhet të realizohet një reformë e thellë zgjedhore, që përfshin ndryshime si në Kodin Zgjedhor ashtu edhe në Kushtetutë. Propozimet e tij të detajuara kryetari i Bindjes Demokratike i ka paraqitur në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Patozi shkruan se Shqipëria po vuan pasojat e një krize të thellë përfaqësimi dhe se sistemi aktual politik ka goditur demokracinë në vend dhe veçanërisht demokracinë brenda partive.
“Ne mendojmë se sistemi aktual politik e ka goditur fort demokracinë, në radhë të parë brenda partive politike, dhe kjo ka shkaktuar pasoja të rënda në gjithë shoqërinë shqiptare. Është një qark i mbyllur, që ka nxitur degradimin intelektual, servilizmin dhe klientelizmin, duke vrarë konkurrencën dhe qarkullimin e elitave politike në vend. Për të gjitha këto arsye është e domosdoshme që të rikthehet pesha e votës së qytetarit në vendimmarrjen politike, si brenda partive, ashtu edhe në institucionet e shtetit.
Shqipëria ka nevojë sot për një kontratë të re sociale, për një pakt kombëtar mes palëve, që do të ishte parakushti elementar për daljen nga kjo spirale e rrezikshme krizash, të cilat mund të jenë të paparashikueshme, në rast se gjendja nuk do të ndryshojë. Në këtë atmosferë të zymtë, ne jemi të bindur se zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të zgjidhur krizat në një vend demokratik. Por natyrisht që kjo nuk mund të arrihet përmes një procesi të deformuar dhe të kontestuar. Shqipëria ka nevojë që të bëjë sa më parë zgjedhje normale, por ajo nuk do ta arrijë ndonjëherë atë objektiv, në rast se një gjë të tillë nuk e shkruan përpara në ligj”, deklaron Patozi.
Ai thekson se reforma zgjedhor është një domosdoshmëri për vendin dhe për këtë duhet vullnet politik. Sipas Patozit i takon opozitës që të luaj rol drejtues në realizimin e reformës zgjedhore e cila duhet të ketë si synim ndryshimin e sistemit zgjedhor.
“Sabotimi i vazhdueshëm i reformës zgjedhore për vite me radhë, sipas nesh, ka ndodhur për dy arsye. Së pari, për ta pasur më të lehtë kontenstimin e zgjedhjeve, dhe kjo tashmë është e provuar. Por më kryesorja, për të evituar diskutimin e ndryshimit të sistemit politik, që do të hapej në çdo rast në tryezën e reformës zgjedhore. Si forcë politike opozitare e djathtë mendojmë se ruajtja e statuskuosë dhe mospërmbushja e reformës zgjedhore është në avantazh të së majtës në përgjithësi, dhe të qeverisë në veçanti, që do të thotë se në kushtet tona PS është në avantazh të dyfishtë. Ndaj edhe i takon opozitës, si pala më e interesuar, për ta udhëhequr dhe për ta përmbyllur me sukses dhe në favorin e saj reformën zgjedhore”, thekson Patozi.
Ai vëren se vendi ka nevojë për reformë të thellë zgjedhore dhe për këtë ai propozon edhe ndryshime në Kushtetutë. Patozi propozon sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, dobësim të pushtetit të kryeministrit, KQZ organ kushtetuës i depolitizuar; rregulla të forat për financimin e partive; ndryshime në ligjin për ndarjen administrative si dhe hartimin e një ligji të veçantë për referendumet.
Sipas Patozit ky sistem politik ka rënë dhe “Shqipëria duhet të ndahet një ditë e më parë nga kryetaro-kracia, sepse ajo është baza e rritjes së autoritarizmit dhe shndërrimit të pushtetit politik në një përbindësh në duart e vetëm 3 apo katër personave”.
“Aktorët politikë dhe publikë në Shqipëri mund të mos jenë në një mendje dhe mund të diskutojnë gjatë se cili mund të jetë sistemi i duhur politik për ne, por nuk kanë pse harxhojnë kohë dhe energji fare për të rënë dakord se ky që kemi nuk bën. Sepse vendi sot është në kolaps të plotë dhe në një gjendje gati parapolitike, me qeverinë që po zvarritet, me opozitën që ka braktisur gati të gjitha institucionet, dhe me Presidentin e Republiks në procedurë shkarkimi nga parlamenti. Nuk mendojmë se ka më shumë nevojë se kaq që të bindemi se sistemi ynë politik ka rënë”, argumenton Patozi.
Propozimet e Patozit:
A-Ndryshime në kushtetutë – për ndërrimin e sistemit politik, nga propocional rajonal me lista të mbyllura, në proporcional kombëtar me lista preferenciale ose të hapura. Dobësimi i pushtetit të kryeministrit si dhe aplikimi i votimit të detyruar. Rikthimi i KQZ-së në organ kushtetues të depolitizuar.
B-Ndryshime në Kodin Zgjedhor – për të përfshirë atje kryesisht, por jo vetëm, rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, të cilat janë bërë stivë tashmë që nga zgjedhjet e vitit 2013.
C-Ndryshime në ligjin “Për partitë politike” – për të vendosur rregulla të reja dhe të forta lidhur me funksionimin, financimin, organizimin dhe zgjedhjet e brendshme të tyre.
D-Ndryshime në Kodin Penal – për të vendosur masa më të rënda ndëshkimore për të gjitha krimet zgjedhore, që nga votuesit e thjeshtë, personat që administrojnë zgjedhjet, e deri tek subjektet politike.
E-Ndryshime në ligjin “Për administatën publike” – për të garantuar paprekshmërinë e administratës publike nga ndryshimet politike, duke përcaktuar qartë rolin dhe vendin e saj gjatë fushatave dhe proceseve zgjedhore.
F-Ndryshime në ligjin “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” – të cilat të sigurojnë, jo vetëm konsensusin politik mes pozitës dhe opozitës,
barazinë e palëve në zgjedhje, por edhe një administrim më të mirë të pushtetit lokal në Shqipëri.
G-Hartimi i një ligji të posaçëm për referendumet – për t’i dhënë mundësi qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e demokracisë direkte, duke çliruar pengesat e qëllimta në Kodin Zgjedhor, që e bëjnë praktikisht të pamundur sot mbajtjen e referendumeve.