Humbja me Bylis, Tirana largon Ardi Memën

AKTUALITET


Ndeshja me Bylis ishte e fundit për trajnerin e Tiranës Ardian Mema. Sipas Panorama Sport, trajneri Mema dhe presidenti i klubit Refik Halili zhvilluan një takim të enjten. Palët kanë rënë dakord të ndërpresin bashkëpunimin me mirëkuptim.

Gjithashtu, trajneri nuk ishte i pranishëm të enjten në seancë stërvitore, çka konfirmoi edhe largimin e tij. Dy javë më parë, Tirana ishte gati të largonte trajnerin, por Halili riemëroi Ardi Memën në krye të bankinës duke i lënë kohë.

Megjithatë, duket se humbja me Bylis vulosi fatin e trajnerit. Mema e mori drejtimin e Tiranës një vit më parë, kur nga klubi u largua braziliani Zemaria. Në fakt, skenari i largimit të Ardi Memës duket i ngjashëm me atë të teknikut brazilian. Edhe një vit më parë, për shkak të rezultateve të dobëta, Zemaria u përfol për shkarkim.

Por ai u ribesua si trajner nga presidenti Halili. Por aventura e tij zgjati vetëm dy ndeshje, dhe palët ndërprenë bashkëpunimin mes tyre. Ndërkohë, ndarja mes palëve është bërë me konsensus dhe klubi nuk do t`i paguajë dëmshpërblim trajnerit Mema për pjesën e mbetur të kontratës.

Ndërkohë për zëvendësimin e trajnerit Mema, janë përfolur dy emra. Julian Ahmataj është kandidatura më e favorizuar, por nuk mbetet pas as trajneri i akademisë bardheblu, Bledar Devolli. Gjithësesi, në vijim pritet të ketë një njoftim zyrtar nga klubi për zhvillimet e fundit.



Skip to toolbar