Kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se zgjidhja e krizës në vend do të vijë nga reforma zgjedhore dhe zhvillimi i dy palë zgjedhjeve në të njëjtën ditë. Ai gjithashtu kërkon ndihmën e OSBE-së për vendosjen e dialogut politik me ndërmjetësimin e saj jashtë parlamentit. Basha zhvilloi të premten një takim me Sekretarin e Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger. Në përfundim të takimit ai tha se “OSBE mund të luajë rol për të ndihmuar në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar dhe nga BE dhe nga Gjermania për t’i dhënë fund krizës politike në vend”.
“Siç mund ta imagjinoni, me sekretarin e përgjithshëm të OSBE, tema kryesore ka qenë tema e zgjedhjeve. Opozita është e vendosur të japë kontributin e saj për një reformë të vërtetë zgjedhore që të garantojë lirinë e votës. Për këtë nevojitet vullnet politik për të miratuar këtë reformë dhe më e rëndësishmja vullnet politik për të zbatuar këtë reformë. Kjo është arsyeja pse opozita, PD, aleatët tanë kanë vënë në dispozion të kësaj reforme shumë të rëndësishme për qytetarët gjithë ekspertizën tonë që mund të them që është ekspertiza më e mirë në vend por nga ana tjetër duhet vullnet politik, i cili deri më sot mungon. Prandaj me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE kemi diskutuar për ndihmën që OSBE mund të japë në këtë drejtim, në veçanti në tre fusha kryesore, në rolin që ka OSBE për t’i kujtuar vendeve anëtare për standardet dhe kushtet që duhet të përmbushin sa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor; së dyti në ofrimin e ekspertizës të ekspertëve të OSBE-së për të ndihmuar në këtë proces dhe së treti në rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm dhe të kërkuar dhe nga BE dhe nga Gjermania për t’i dhënë fund krizës politike në vend.
Për opozitën rruga është e qartë, është e njëjta rrugë që përshkruhet dhe nga kushtet e Bundestagut, miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore ku vota e shqiptarëve është e garantuar dhe vullneti i shqiptarëve nuk tjetërsohet nga grupet kriminale dhe nga një qeveri e paaftë dhe pa vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme siç është qeveria dhe kryeministri aktual”, deklaroi Basha pas takimit.
Ai tha se OSBE vetë i ofron këto 3 mundësi, t’i kujtojë Shqipërisë detyrimet për zgjedhje të lira e të ndershme, t’i ofrojë ekspertizë dhe së treti që të ndihmojë në një dialog të vërtetë që të ketë një produkt.
Sa i përket dialogut, Basha tha se ky dialog duhet të jetë jashtë dyerve të parlamentit.