Kreu i PD, Lulzim Basha ka pritur në zyrë të premten kreun e Prezencës së OSBE në Tiranë, Bern Borchardt, ishte i papranueshëm, për shkak të vizitës së sekretarit të përgjithshëm të OSBE, Greminger, por që një ditë më herët, ai e kishte kritikuar përfaqësuesin e OSBE në Tiranë, duke e cilësuar të papranueshëm veprimin e tij ndaj protestuesve të Astirit pak ditë më herët.
Por Basha për të qëndruar brenda kornizës së tij politike, në përcjelljen e delegacionit të OSBE ka shmangur momentin e dhënies së dorës me Borchardt, me qëllim që të shmangë edhe kritikat ndaj vetes në një kohë që pikëpyetjet ndaj tij janë rritur ndjeshëm, pavarësisht se nuk ka lënë asnjë tjetër pa takuar nga delegacioni që vizitoi zyrën e tij.
Ai pati një takim me delegacionin e udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger, ku i pranishëm në takim ishte edhe Borchardt. Në këtë takim, Basha deklaroi se një ndër pikat që diskutoi ishte roli që OSBE mund të luajë për të ndihmuar në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm të kërkuar nga BE dhe nga Gjermania për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Por me gjithë këtë lutje të kreut të PD duket se ai ka mbajtur disi mëri, të paktën në sytë e publikut ndaj përfaqësuesit të OSBE në Tiranë, Borchardt.
Ndryshe nga fotot që shpërndau PD, në videot e transmetuara nga televizionet vihet re se në momentin e përcjelljes së delegacionit të OSBE, Basha përshëndet, duke u dhënë dorën të pranishmëve në takim, por që shmang Borchardt, i cili pret ta takojë kryetarin e PD deri në momentet e fundit, që ai largohet për t’u rikthyer në zyrë. Vetëm në momentin e largimit, Basha ngre vetëm dorën për të përshëndetur Borchardt, duke mos u afruar ta takojë si të tjerët. Me këtë qëndrim, Basha duket se ka dashur të ruajë pozitat e tij përballë demokratëve dhe të qëndrojë në linjën e deklaratës së bërë një ditë më herët në Neës 24, ku u shpreh se akti i Borchardt ishte i papranueshëm, pavarësisht se ky i fundit kërkoi ndjesë publike për incidentin me protestuesit e Astirit. Pra nga njëra anë, ai kërkon ndihmën e OSBE, por nga ana tjetër duket i pakënaqur me përfaqësuesit e kësaj prezence në Shqipëri.