Maxhoranca qeverisëse i ka propozuar kuvendit miratimin e një rezolute kundër ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla depozitoi të martën në Kuvend projekt-rezolutën për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare.
Në rezolutë shkruhet se ka tentativa nga aktorë të huaj publikë dhe jo publikë për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike. “Ndërhyrja e huaj mund të marrë forma të ndryshme përfshirë fushatat e dezinformimit në mediat sociale për të formësuar opinionin publik, sulmet kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike në lidhje me zgjedhjet, mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë financiare të aktorëve politikë”, shkruhet në rezolutë dhe më tej theksohet se duhet të rritet ndërgjegjësimi për fushatat e dezinformimit të Rusisë, pasi ky i fundit përbën burimin kryesor nga i cili buron dezinformimi në rajon, Evropë e më gjerë.
Në rezolutë theksohet gjithashtu se përveç Rusisë aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë nga vendet e treta janë të përfshirë në ndërhyrje dashakeqe në debate publike të vendit tonë.
“Në vendet anëtare të BE-së, disa hetime kanë treguar që rregullat e rëndësishme elektorale janë shkelur ose anashkaluar, veçanërisht dispozitat ekzistuese për transparencën e financimit të fushatës, me pretendime për shpenzime politike nga organizata jo-fitimprurëse me burime të vendeve të treta, veçanërisht nga Rusia”, shkruhet në rezolutën e propozuar në Kuvend nga PS.
Në rezolutë theksohet se zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të mbahen në vitin 2021 dhe deri atëherë kuvendi i Shqipërisë angazhohet që të marrë masa të nevojshme legjislative dhe administrative për të parandaluar dhe luftuar dezinformimin në zbatim të praktikave më të mira evropiane me qëllim mbrojtjen e proceseve demokratike dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike.
“Kuvendi përsërit se ndërhyrja e huaj në zgjedhje minon të drejtën e shtetasve për të thënë fjalën e tyre në qeverisjen e vendit, direkt ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur, siç përcaktohet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe se një ndërhyrje e tillë nga shtetet e tjera përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, edhe kur nuk ka përdorim të forcës ushtarake, kërcënim për integritetin territorial ose kërcënim për pavarësinë politike;
Beson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë në zemër të procesit demokratik dhe prandaj kërkon që institucionet e vendit të ndërmarrin veprime për këtë çështje, në kuadër edhe të proceseve integruese të vendit në BE; Vëren me shqetësim se Bashkimi Europian është thellësisht të shqetësuar për “natyrën jashtëzakonisht të rrezikshme të propagandës ruse, e cila është burimi kryesor i dezinformimit në Evropë dhe që është dyfishuar që nga janari 2019 (me 998 raste) në krahasim me 2018 (me 434 raste)”.
I bën thirrje institucioneve kompetente të hartojnë masat përkatëse për transparencën dhe auditimin e financimeve të partive politike dhe organizatave politike, përfshi financimet e huaja si dhe të marrin nisma ose nxisin ndërmarrjen e nismave për ndryshime ligjore në këtë drejtim.
I kërkon Komisionit të Reformës Zgjedhore të adresojë transparencën dhe auditimin e financimeve të partive politike dhe organizatave politike, përfshi financimet e huaja në fushata elektorale dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë politike.
I kërkon organeve kompetente të vlerësojnë nevojën e krijimin të Task Forcave ose fuqizimin e institucioneve aktuale me ekspertizë të posaçme për të forcuar parandalimin e fenomenit të dezinformimit si dhe për të ndaluar çdo ndërhyrje të huaj të parregullt ose financim të paligjshëm në proceset elektorale dhe demokratike në vendin tonë”, shkruhet më tej në rezolutën e PS.