Vrau biznesmenin për një kalë, arrestohet si nëpër filma, i rrezikshmi i Vlorës

AKTUALITET


Forcat speciale të policisë së Durrësit kanë arrestuar 34-vjeçarin Eduart Xhezo, një person me rrezikshmëri të lartë, e cilëson policia, i cili dyshohet për vrasjen e biznesmenit nga Vlora, pasditen e 4 gushtit.

Arrestimi i tij ka qenë i ngjashëm si në skenat e filmave pasi 34-vjeçari nuk i ka ndaluar policisë dhe kjo e fundit është vënë në ndjekje të tij përgjatë autostradës.

Policia e Vlorës, Tiranës e Durrësit kanë bërë një vëzhgim disa ditor për të vënë në pranga 34vjeçarin, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje.

Policia njofton se pas informacioneve të marra  për vendin e ndodhjes së Eduart Xhezos janë organizuar  forcat e Posaçme të Operacionales në Tiranë për ta kapur, por  sapo ka parë Policinë 34-vjeçari ka lëvizur me shpejtësi të madhe në Drejtim të Durrësit. Edhe në hyrje të Durrësit, Policia ngriti një pikë kontrolli me qëllim bllokimin e automjetit, por edhe në këtë pikë kontrolli drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit  për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe është larguar me shpejtësi.

Forca e Posaçme Shqiponja të  Durrësit dhe ato të Qarkullimit Rrugor i janë vënë në ndjekje dhe në  vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit së bashku me personat, të cilët u shoqëruan në Polici së bashku me Eduart Xhezon.

Në makinën me të cilën po udhëtonin këta persona u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis dhe dy karta identiteti me iniciale A. S., dhe S. J.. Pas verifikimit të bërë karta e identitetit me emër A. S. rezultoi e falsifikuar, pasi fotografia në kartë i përkiste Eduart Xhezo, 34 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Shkallës Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”.

Eduart Xhezo është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje.

Xhezo akuzohet për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj 4 gusht të këtij viti në Vlorë. Ai hapi zjarr në zonën e plazhit të vjetër pas një sherri me biznesmenin në fjalë për një xhiro më kalë. Bashkë me viktimën u plagosën edhe Egert Beqiraj dhe Nesim Hodaj. Konflikti nisi për shkak të një kali i cili ka kaluar mes plazhistëve të administruar nga Arben Beqiraj dhe Ergest Beqiraj. Ata janë konfliktuar me personin që po kalëronte duke u përfshirë në konflikt fizik me të. Ai më pas është larguar nga zona  dhe një orë më vonë është kthyer me një makinë dhe katër persona të tjerë, Eduart Xhezon, Ariel Kingjin, Çelik dhe Geno Lenan. Dy prej tyre janë afruar pranë Beqirajve për të diskutuar por debati është përshkallëzuar dhe autorët kanë nxjerrë armët duke qëlluar në drejtim të Arben dhe Ergest Beqirajt dhe kushëririt të tyre.



Skip to toolbar