Lleshaj i indinjuar: Vjedhin edhe lugët, na nxinë faqen

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e cilësoi të turpshme dhe aspak dinjitoze që disa elementë nxijnë faqen e shqiptarëve duke shkuar deri në vjedhjen e lugëve e sendeve shtëpiake në banesat e shteteve ku janë emigrantë. Reagimi i indinjuar i Lleshaj erdhi pas arrestimit të një polici nga Laçi që shiste objektet e vjedhura nga i vëllai, i cili ishte emigrant në Gjermani.

Lleshaj deklaroi se policia ka vullnet që të vetëpastrohet nga këto persona të padenjë dhe të inkriminuar që ende kanë mbetur brenda strukturave.


“Pas një operacioni të përbashkët me partnerët gjermanë, u kap në kushte flagrance një punonjës policie, i cili kishte depozituar në shtëpi një mori sendesh shtëpiake të vjedhura në Gjermani nga i vëllai.

Meritojnë falënderim të veçantë partnerët gjermanë për rigorozitetin me të cilin ndjekin çdo lloj vjedhjeje, pa i ndarë ato në të vogla dhe të mëdha.

Falënderime meritojnë SHÇBA, Prokuroria dhe Policia e Shtetit për bashkëpunimin profesional dhe vullnetin për vetëpastrim nga radhët e personave të inkriminuar apo të padenjë që mund të kenë mbijetuar ende brenda strukturave të veta. Keqardhje për elementë të tillë që pa turp dhe pa dinjitet bien në nivele kaq të ulëta, sa vjedhin deri edhe lugët e huaja, për të nxirë pa të drejtë faqen e mijëra shqiptarëve të tjerë, që jetojnë me punë dhe dinjitet anembanë Europës.

Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të informuar çdo lloj dyshimi, edhe për raste të atyre, që kanë humbur dinjitetin dhe vjedhin nëpër Europë. Kjo kategori hajnash meriton përbuzje dhe izolim shoqëror si dhe procedim të rreptë ligjor.” shkruan Lleshaj në Facebook




Skip to toolbar