Sa më shumë thellohen hetimet për vrasjen e ndodhur 20 ditë më parë në shtëpinë e Marsida Qatjas në Kavajë, aq më shumë zbehet motivi i xhelozisë, që u dyshua fillimisht si shkaku i përplasjes me armë.
Këqyrja e celularit të viktimës ka nxjerrë në pah detaje të tjera, që duket se po i orientojnë hetimet drejt një konflikti të mëparshëm mes Dritan Haxhollit që mbeti i vrarë dhe ish-oficerit të Burgjeve, Bledar Toçit, i cili mbeti i plagosur e njëkohësisht ndodhet nën arrest si autor.
Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën Panorama se në telefonin e Haxhollit janë zbuluar mesazhe që ai ka shkëmbyer vazhdimisht me Toçin, ku flitej për shuma të ndryshme parash. Para që, sipas hetuesve, kanë të bëjnë me shitje kokaine, nisur edhe nga fakti se viktima ishte përdorues.
Burimet shtojnë se aty janë gjetur edhe komunikime në formë kërcënimesh që Haxholli kishte shkëmbyer edhe me persona të tjerë në Kavajë, të cilëve u kërkonte para. Po kështu, edhe në telefonin e të dyshuarit, Bledar Toçi, janë gjetur sms të shkëmbyera me viktimën.
20 ditë më parë ish-oficeri i Burgjeve, Bledar Toçi qëlloi me armë duke e vrarë Dritan Haxhollin. Ngjarja ndodhi në shtëpinë e Marsida Qatja nga Kavaja dhe fillimisht u duk si krim pasioni por hetimet tregojnë se ngjarja ka lidhje me pazaret e drogës.