“U largua me ‘fitore’ nga parlamenti, Basha të presë 2021 për zgjedhjet”

AKTUALITET


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon zgjedhje të parakohëshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në të njëjtën ditë, (propozim ky i bërë më herët nga presidenti Meta), por për qeverinë zgjedhjet janë më 2021 dhe Bashës i duhet të presë përfundimin e mandatit 4-vjeçar.

Fill pas deklaratës së Bashës ka reaguar Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila shkruan se Basha bën mirë të mendojë për reformën zgjedhore dhe të mos humbasë kohë në këtë drejtim, ndërsa lidhur me zgjedhjet, ajo thotë se PS nuk do ta grisë kontratën që ka me zgjedhësit e saj, siç e grisi PD.


“Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare duhet të presin zgjedhjet e radhës per t’u rikthyer në Parlament, prej ku u larguan vullnetarisht me daullet e fitores imagjinare!

Qeveria dhe shumica jonë e votuar për të qeverisur 4 vjet, kanë shumë detyra e punë për të realizuar deri në përfundim të mandatit, në respekt të kontratës me shqiptarët. Ata që e grisën kontratën me zgjedhësit e tyre, nuk kanë asnjë të drejtë po as edhe një shans gjithashtu, të grisin kontratën tonë.

Ne po përgatitemi për dy sezone të reja betejash në çdo drejtim dhe për një Shqipëri më të mirë në çdo fushë të jetës. Nga ana tjetër, sa më shumë Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare refuzojnë dialogun për reformën zgjedhore, aq më pak kohë kemi ne për të humbur me ta. Brenda dhjetorit do te votojme Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe do të vazhdojmë më tej me pikat kyçe të procesit të integrimit europian, duke përdorur si hartë drejtuese rezolutën e Bundestagut, si edhe të gjitha pikat e tjera të programit tonë për Shqipërinë që duam”, shkruan Spiropali.

Edhe kryeministri Rama më herët është shprehur se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë në vitin 2021 dhe jo më herët, pavarësisht kërkesës së PD-së.




Skip to toolbar