Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur diskutimet për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, i cili akuzohet nga PD se ka fshehur arrestimin në Greqi duke shkelur ligjin për dekriminalizimin dhe si pasojë duhet të shkarkohet nga detyra.
Prokuroria e Përgjithshme ka vërtetuar ndërkohë që Agim Kajmaku në Greqi ka përdorur emrin Jorgo Toto i cili rezulton i arrestuar në shtetin fqinj. Kjo shkresë e Prokurorisë së Përgjithshme u është shpërndarë të 5 anëtarëve të KQZ-së për të shqyrtuar aktet.
Në mbledhjen e KQZ-së avokati i Agim Kajmakut, Isuf Shehu tha se verifikimet e prokurorisë janë të paplota dhe se shkresat nga Greqia nuk kanë ardhur ende. Për këtë arsye, tha avokati, KQZ nuk mund të vendosë mbi bazën e disa opinioneve.
“Verifikimet janë të paplota nga ana e prokurorisë. Detyra e prokurorisë janë të parashikuara qartë, te cilën ata nuk e kanë zbatuar.
Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë asnjë vendim të formës së prerë ndaj subjektit Agim Kajmaku. Letërporositë nga institucionet greke nuk kanë ardhur në organin e akuzës në Shqipëri. Kështu lind pyetja a është nisur kërkesa për këtë letërporosi?! Pa patur këto përgjigje nuk kemi një procedurë verifikimi të përfunduar.
Procedimi ndaj Kajmaku në Greqi është bërë plotësisht në mungesë të tij dhe në mungesë të dijenisë së tij. Ju të nderuar s’mund të merrni vendime mbi opinione qofshin këto edhe nga prokuroria”, është shprehur avokati.