Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e shtëpisë së shembur nga tërmeti i 21 shtatorit në fshatin Picallë të Petrelës . Ndërkohë që janë rikonstruktuar dhe rindërtuar një pjesë e konsiderueshme e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 21 Shtatorit, kryeministri Edi Rama ka sjellë nëpërmjet rrjeteve sociale punimet për ndërtimin nga e para të kësaj banese
Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Tiranë, Erindi Bejko, shpjegoi punën që po bëhet për rindërtimin e banesës dykatëshe të familjes së Ilir Stafës. “Shtëpia qe po shohim ka filluar rindërtimin jo me larg se dje. Po te ishim dje këtu do shihnim një gjë te goditur nga tërmeti, një objekt te amortizuar i cili kishte marre një goditje nga pikëpamja konstruktive dhe ishte një shtëpi e cila nuk mund te rikonstruktohej dhe donte patjetër rindërtim, kështu qe me ekipin e njësisë administrative, me ekipin e inxhiniereve te bashkisë vlerësuam qe shtëpia duhej te rindërtohej nga e para”, tha Bejko.
“Në fshatin Picallë ku jemi aktualisht janë 8 familje te prekura, nder to ka nisur ndërtimi edhe tek një familje tjetër, gjithsej janë 48 banesa te dëmtuara nga tërmeti. Për këto ka filluar diku projekti, diku rindërtimi i banesave”, shtoi Administratori i Njësisë Petrelë, Sokol Kupi.
Ndërsa vetë Rama theksoi se banesa e re pritet të përfundojë brenda dhjetorit, ndërkohë që skuadrat e terrenit po punojnë për të garantuar që çdo familje e prekur nga pasojat e tërmetit, të ketë një strehë të sigurtë e dinjitoze brenda një kohe të shkurtër.