Sekuestro 12 milionë euro bosit fierak të kokainës

AKTUALITET


Mbi 12 milionë euro i janë sekuestruar bosit të kokainës Arjan Shanaj, i cili u arrestua më 20 qershor të vitit 2017, bashkë me grekun Thanasios Karatzounis pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro. Sekuestro e pasurive me vlerë marramendëse është realizuar me vendim gjykate, të cilat i janë gjetur të investuara në biznese karburantesh, hotele, shtëpi dhe makina.

Sekuestrimi i pasurisë u konfirmua nga policia, e cila tha se ka finalizuar me sukses megaoperacionin policor “Furtuna” për pasuritë e Arjan Shanajt. Ai, bashkë me grekun e arrestuar, merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine. Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj Shanajt.

Në këtë kuadër, Gjykata e Fierit, më datë 20 tetor 2019, vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme të tij dhe personave të tjerë, familjarë të tij. Këto pasuri përfshijnë 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë dhe Korçë; 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur; 2 vila trekatëshe; 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 metra katrorë; 3 apartamente banimi; 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 metra katrorë, në Fier, Tiranë dhe Durrës; 8 793 metra katrorë tokë, në Tiranë, Durrës dhe Fier; 20 000 euro në llogaritë bankare dhe një automjet me vlerë 40 000 euro.

Policia theksoi se aktiviteti kriminal i ushtruar nga ky shtetas në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri gjurmohej nga Policia prej vitesh. Në vitin 2014, në kuadër të procedimit penal të regjistruar më parë, Arjan Shanaj u arrestua në flagrancë nga Policia, për veprën penale armëmbajtja pa leje, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri dhe një sasi fishkesh, që i mbante pa leje. Më datë 18.07.2016, ai u shpall në kërkim pasi dyshohej se në bashkëpunim me shtetasin S.K., në vendin e quajtur “Ishull Lezhë”, kishte kanosur dhe goditur shtetasin A. Gj. duke konsumuar veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Kanosja”.



Skip to toolbar