Sulmi ndaj policëve në Elbasan, Krimet e Rënda zbusin akuzën

AKTUALITET


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 7 vite burg për Suel Çelën, i cili do të gjykohet për kundërshtim të forcave të policisë dhe goditje për shkak të detyrës, lidhur me incidentin e ndodhur në shtator të vitit 2017 në Elbasan, duke ndryshuar kështu akuzën paraprake për vrasje të mbetur në tentativë të punonjësve të policisë. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Suel Çela drejtonte makinën Audi që goditi automjetin e ish zëvendësdrejtorit të policisë Elbasan Gjergji Oshafi.

Prokuroria për Krime të Rënda ndryshoi gjatë leximit të pretencës akuzat për Suel Çelën, Enea Bekteshin dhe Kelmend Xhaferrin, duke rrëzuar vrasjen e punonjësit të policisë mbetur në tentativë.

Prokuroria tha se gjatë shqyrtimit nuk u gjet e provuar akuza e vrasjes së punonjësit të policisë, por u gjet e provuar se Suel Çela dhe Enea Bekteshi kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe i kanë goditur për shkak të detyrës, e për këtë kërkoi dënimin e Çelës me 7 vite burg dhe Bekteshin me 6 vite.

Edhe për Klement Xhaferrin ra akuza e kundërshtimit të policisë, por u kërkua shpallja e fajshme e tij për tri vepra të tjera atë të armë mbajtjes pa leje, largim i të burgosurit dhe mbajtja e lëndëve plasëse duke kërkuar dënimin me 6 vite burg.

Gjatë seancës prokuroria pretendoi se është e provuar që në drejtim të Audit që përplasi makinën e policisë ishte Suel Çela dhe pasagjer në ketë automjet ishte Enea Bekteshi. Përfaqësuesi i akuzës renditi dëshmi, pamje filmike dhe rezultatet të ekspertimeve për materialet biologjike të gjetura në makinë si prova kundër të pandehurve.

E gjithë ngjarja ndodhi në Tregun Agro-Ushqimor në 18 shtator të 2017-së në Elbasan. Në atë kohë policia e Elbasanit kishte informacion për një grup të rrezikshëm që po lëvizte në qytet prandaj organizoi kontrolle. Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.

Por në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit. Në dosje theksohet se Audin e blinduar e drejtonte Suel Çela i cili më pas u fut brenda Tregu Agro-Ushqimor. Dera e tregu u mbyll dhe Policia nuk mund të hynte dot në brendësi, për shkak se roja nuk e hapi portën. Kur Policia u fut brenda tregut, sipas Prokurorisë, Suel Çela ishte larguar. 



Skip to toolbar